Inceneratori i Tiranës, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim dosjen: 12 të pandehur, mes tyre edhe ish-ministri Koka
Prokuroria e Posaçme (SPAK) këtë të premte të 2 gushtit iu ka komunikuar akuzat 12 personave nën hetim për inceneratorin e Tiranës.
Mes personave që iu është komunikuar akuza janë Lefter Koka, Taulant Tusha, Pëllumb Abeshi, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Sidita Tola, Jetmir Llapaj dhe Erjon Murataj.
Nga aktet e administruara janë konstatuar veprime të kundërligjshme të kryera për shkak të detyrës të personave të mësipërm të marrë në cilësinë e të pandehurit, veprime të kryera para fazës së procedurës, si dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit.
Aktet e kundërligjshme
Në lidhje me propozimin për dhënien e bonusit shoqërisë propozuese “Integrated Energy BV”, anëtarët e Komisionit të Dhënies së Koncesionit, të përbërë nga të pandehurit Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me Ish Ministrin e Mjedisit, të pandehurin Lefter Koka, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike të Ministrisë së Mjedisit, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, kanë kryer veprime të kundërligjshme para fazës së zhvillimit të procedurës.
Anëtarët e Komisionit kanë propozuar dhënien e bonusit, pa hartuar një raport përmbledhës, si dhe kur është bërë propozimi për dhënien e bonusit, komisioni i dhënies së koncesionit ende nuk kishte sqaruar kostot e projektit.
Nga ana e zyrtarëve të Autoritetit Kontraktor, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, Drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, Përgjegjësi i Sektorit të Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit, Bledar Karoli, është përgatitur dhe dërguar më pas projektvendimi në Këshillin e Ministrave, për dhënien e bonusit prej 8 % të pikëve totale të garës shoqërisë propozuese.
Në lidhje me procedurën e dhënies së koncesionit me objekt: “Ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitimi i vend depozitimeve ekzituese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike”, rezulton se shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” (në përbërje të së cilës është aksionere edhe shoqëria e shtetasit Klodian Zoto, “Integrated Technology Services” sh.p.k) ka qenë në dijeni të rrethanave konkuruese para se të shpallej procedura.
Kjo ka ndodhur në sajë të ndihmës së dhënë nga vetë funksionarët e Ministrisë së Mjedisit, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, Alba Thoma, Drejtoreshë e Drejtorisë Juridike, Bledar Karoli, Përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve, si dhe nga anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, ku shoqëria propozuese “Integrated Energy BV” është pajisur me dokumentacionin e nevojshëm që duhej të dorëzonte në Ministrinë e Mjedisit para dhe gjatë procedurës koncesionare, me qëllim shpalljen fitues të kësaj shoqërie.
Në lidhje me hartimin dhe miratimin e dokumenteve standarde të koncesionit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, në bashkëpunim me titullarin e Autoritetit Kontraktor, Lefter Koka, ish Ministër i Mjedisit, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin nr.
Dokumentet e koncesionit nuk rezultojnë të jenë hartuar dhe miratuar nga anëtarët e komisionit, në kohën që këto dokumente janë ngarkuar në Sistemin e Prokurimit Elektronik, pasi rezulton se nga ana e komisionit nuk është mbajtur mbledhje apo procesverbal për hartimin e Dokumenteve Standarte të Koncesionit.
Rezulton se ato janë hartuar nga punonjësit e shtetasit Klodian Zoto, pronar i shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, pjesëmarrëse në këtë procedurë koncesioni si aksioner i shoqërisë holandeze “Integrated Energy BV”, i cili jua ka dërguar më pas punonjësve të Ministrisë së Mjedisit, të pandehurve Alba Thoma dhe Bledar Karoli.
Në këtë kohë, këta dy shtetas kanë shërbyer si “urë lidhëse” ndërmjet Autoritetit Kontraktor, Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë së shtetasit Klodian Zoto.
Nga ana e titullarit të Autoritetit Kontraktor, ish Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është miratuar vazhdimi i procedurës së dhënies së koncesionit, pa pasur dokumentacion shoqërues të hartimit të Dokumenteve Standarde të Koncesionit nga ana e Komisionit.
Në lidhje me studimin e fizibilitetit, anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Valbona Ballgjini, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Nga aktet e administruara rezultojnë të dhëna fiktive të vendosura në studimin e fizibilitetit, të cilët kanë rritur fiktivisht tarifën e depozitimit të mbetjeve nga Njësitë e Qeverisjeve Vendore, 29 Euro/ton.
Në studimin e fizibilitetit të përgatitur nga Komisioni i Dhënies së Koncesionit, nuk janë marrë në konsideratë të gjitha të ardhurat reale që do të përfitonte shoqëria koncesionare.
Këto të ardhura, të cilat nuk janë përfshirë, ndikojnë negativisht në buxhetin e shtetit, pasi nëse do të ishin përllogaritur, atëherë vlera e tarifës që do të duhej të paguanin Njësitë e Qeverisjes Vendore, do të ishte më e ulët.
Komisioni i Dhënies së Koncesionit nuk ka përfshirë të ardhurat që do të përfitonte shoqëria koncesionare nga palët e treta për depozitimin e mbetjeve inerte, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit.
Nëse do të ishin përllogaritur të ardhurat që shoqëria koncesionare do të përfitonte nga palët e treta, si zë të ardhurash në studimin e fizibilitetit, atëherë do të ishte ulur pjesa e mbulimit që do të kryhej nga shteti.
Nga aktet e administruara rezulton se punonjësit e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, të pandehurit Jetmir Llapaj dhe Silena Tola, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin.
Në lidhje me regjistrimin e pronarëve përfitues fundor të shoqërisë “Integrated Energy BV SPV”, rezulton se nuk është dorëzuar dhe administruar dokumentacioni shoqërues justifikues për të provuar ndryshimin e aksionerëve përkatës për periudhën kohore në fjalë, sipas përcaktimeve të akteve ligjore dhe nënligjore të përmendura më sipër.
SPAK thotë se po kryen hetime të mëtejshme për të gjithë subjektet e tjerë të regjistruar në kuadër të këtij hetimi (individ dhe persona juridik), për të evidentuar çdo fakt penal tjetër, veprimet e secilit prej personave përgjegjës të institucioneve shtetërore që kanë marrë pjesë para dhe gjatë procedurës së dhënies së koncesionit, si dhe gjatë zbatimit të kontratës koncesionare.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com