Shqipëria

Inceneratorët, Gjiknuri përgënjeshtron akuzat e Tabakut: Javën e ardhshme i shpjegoj diferencën midis gënjeshtrës dhe të vërtetës


 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, mbrëmjen e 15 shkurtit ka replikuar në distancë me kryetaren e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Jorida Tabaku.

Kjo e fundit e ka akuzuar Gjiknurin se ka hedhur firmën për 21 milionë e 6 mijë euro për  koncensionin e Ebasanit pa procedurë, pa garë me 25 vite, tek dy të shpallurit në kërkim nga drejtësia Klodian Zoto dhe Stela Gugallia.

Nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook, Gjiknuri i ka hedhur akuzat e Tabakut, duke i qujatur gënjeshtra dhe të pavërteta.

“Fillimisht gënjeu publikisht kur tha se kisha firmosur kontratën e inceneratorit të Tiranës. Kontratat janë publike dhe çdokush mund ta shohë që nuk është firmosur asnjëra prej meje. Sot, Tabaku vijoi me të tjera shashka teksa deklaroi se paskam firmosur koncesion të posaçëm për shitje energjie inceneratorit të Elbasanit për 25 vjet. Sërish mashtrim”, shkruan ai në Facebook.

Ai thekson se në kohën kur ka qenë ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, se autorizimi i dhënë kompanisë për prodhim energjie nuk është koncesion por është detyrim i lindur nga kontrata bazë që kompania kishte firmosur me Ministrinë e Mjedisit.

“Në përfundim të periudhës 7-vjeçare të koncesionit, kompania bashkë me të drejtën e fituar nga autorizimi i dhënë nga Ministria e Energjisë për prodhim energjie i kalon shtetit shqiptar”, vijon Gjiknuri.

Sipas tij kompania e inceneratorit të Elbasanit dhe e drejta e saj për prodhim energjie nga djegia e mbetjeve i është transferuar shtetit përmes pushtetit lokal ditën që përfundoi periudha e koncesionit.

Gjiknuri e mbylli postimin duke bërë të ditur se javën e ardhshme do të japë dëshminë e tij në Komisionin Hetimor Parlamentar.

“Kjo për të ja shpjeguar më tej zonjës Tabaku diferencën midis gënjeshtrës dhe të vërtetës”, përmbyllet postimi i tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore