Lajme

Imuniteti i ulët dhe spitalet e mbingarkuara nxitin vdekjet nga COVID-i në Japoni


Imuniteti i ulët dhe një popullsi në rritje e të moshuarve po nxit një rritje të vdekjeve nga coronavirus-i në Japoni.

Vendi, për një kohë të gjatë, ka mbajtur disa nga kufizimet më të rrepta pandemike.

Dikur, Japonia krenohej me një nga nivelet më të ulëta të vdekshmërisë nga COVID-i, por shifra ka ardhur në rritje që nga fundi i vitit 2022.

Shifra arriti një maksimum historik më 20 janar të këtij viti, duke tejkaluar Mbretërinë e Bashkuar, SHBA-të dhe Korenë e Jugut.

Japonia ka qenë kryesisht e mbyllur për vizitorët e huaj që nga viti 2020 deri në mes të qershorit të vitit të kaluar.

Kufijtë e saj u hapën me kujdes.

Por teksa kufizimet u lehtësuan, imuniteti i ulët i popullatës ndaj COVID-it mund të shkaktojë rritje të infektimeve, sipas ekspertëve vendas të shëndetit.

Shumica e vdekjeve të fundit janë njerëz të moshuar me kushte themelore mjekësore. Kjo është në kontrast me valën fillestare të vdekjeve që ishin për shkak të pneumonisë dhe shpesh trajtoheshin në kujdesin intensiv.

Para se të godiste varianti Omicron, vdekjet nga COVID-i ndodhën kryesisht në qytete si Tokyo dhe Osaka, por tani ka raste në të gjithë vendin.

Sakaq, Japonia është shoqëria më e vjetër në botë dhe pjesa e saj e të moshuarve është rritur çdo vit që nga viti 1950.

Dhe të moshuarit që po infektohen në shtëpi pleqsh ose në grupe komunitare nuk po marrin trajtim të menjëhershëm, sipas ekspertëve.

Trajtimi më i shpejtë mund të ndihmojë, por për shkak të klasifikimit të COVID-it nga Japonia si një sëmundje e klasit 2 ose “shumë e rrezikshme”, vetëm spitalet e përcaktuara nga qeveria mund të trajtojnë të infektuarit.

Dhe ata janë pushtuar nga ngarkesa në rritje e rasteve.

Yasuharu Tokuda, një mjek në Institutin e Shëndetit dhe Politikës Globale, vuri në dukje se imuniteti natyror i popullatës japoneze kishte qenë i ulët para mesit të vitit të kaluar.

Sipas tij, imuniteti natyror është më i fortë se ai i marrë nga vaksinimi dhe kështu nivelet e ulëta të infektimit kanë çuar në imunitet të ulët në Japoni, i cili nga ana tjetër po shkakton më shumë vdekje.

Ndërkohë, ekspertët janë të ndarë për trajektoren e COVID-it në Japoni.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore