Libra

“Imazheria kombëtare e Rexhep Ferrit”, shkruan Shkëlzen Maliqi


Shkëlzen Maliqi - Publicist

Publicisti, njëherësh filozofi Shkëlzen Maliqi së fundmi ka ndarë një shkrim mbi artin e tanimë të ndjerit, akademikut Rexhep Ferri, i cili u nda jeta në moshën 86-vjeçe.

Maliqi, shkrimin e ndau me audiencën përmes një mediave sociale, ndërsa për artin e Ferrit, publicisti pos tjerash, tha se e veçonte përqendrimi “i jashtëzakonshëm” dhe “sublim”.

Rexhep Ferri.

“Artin e Rexhep Ferrit e shquan një përqendrim i jashtëzakonshëm dhe sublim. Për më se 30 vjet, sa është aktiv në skenën artistike të Kosovës, vepra e tij nuk ka pasur oshilime të mëdha tematike dhe stilistike”, shkruan Maliqi.

Maliqi merr shembull artin e ikonës spanjolle të artit, Pablo Picassos, teksa vë në pah “paragjykimet” që dikur merrnin veprat e tij.

“Një dorë sovrane krijon dhe rikrijon opusin e koncentruar me piktura dhe grafika të një fryme dhe disponimi. Ndërkaq, ekziston një paragjykim mbi konsistencën e këtillë, sikur me këtë kundërshtohet tendenca dominante kërkimtare në artin modern, imperativi i së cilës është lëvizja dhe ndryshimi i pandërprerë, përfshirë këtu edhe ndryshimin dhe tejkalimin e përhershëm të vetvetes”, shkruan ai.

“ Si shembull i kësaj merrej p.sh. arti i Picassos, me atë rrezatim të energjive eruptive kërkimtare, faza të shumta të krijimtarisë dhe ndryshime të pandërprera në qasje. Dhe nëse artisti, megjithatë, e bënte të kundërtën (duke i mbetur, pra, besnik vetvetes dhe një mënyre të shprehjes dhe të realizimit), paragjykimi zhvlerësues konkludonte se diçka nuk është në rregull me të, se ka rënë në ‘manierizëm’, ‘përsëritje’ ose mungesë idesh, me pasojën që vepra e tij te cilësohet si jo e ‘freskët’, joorigjinale, madje edhe artstikisht e pavlerë”, shkruan ai tutje.

Por, të njëjtat paragjykime, sipas filozofit Maliqi – në ditët e sotme nuk kanë ndikim as tek artistët, e as tek kritika.

“Sot, ky paragjykim nuk është aq ndikues tek artistët dhe kritika. Në të vërtetë, tani kemi evidenca të mjaftueshme se Picasso përfaqësonte vetëm një rrymë në artin modern, ndërkohë që ka pasur edhe artistë të mëdhenj dhe po aq gjenial sa ai, që në vazhdimësi u mbesnin besnikë gjetjeve specifike artistike dhe individualitetit të tyre krijues”, shkruan ai.

“I tërë opusi i tyre strukturohet si një përpjekje unikale, si ballafaqim i vazhdueshëm me probleme të njëjta figurative”, shton ai.

Publicisti thotë se edhe Ferri kishte këtë të përbashkët me Picasson.

“Edhe Rexhep Ferri, me vetëdije të plotë, përcaktohet për një qasje të këtillë artistike. Vepra e tij sikur i përmbahet nje motoje si vijon: ‘Kjo që shihni është vepra ime dhe ky jam unë si krijues; s’kam as nevojë e as tundim që të heq dorë nga ripohimi dhe përsosja e vizioneve figurative që unë i preferoj, si mjete të komunikimit tim me botën’”, shkruan ai.

Maliqi zbulon edhe disa veçori të tjera mbi opusin e Ferrit, mënyrën e kërkimeve tematike si dhe mjeteve shprehëse të tij.
“Një moment tjetër karakterizues për opusin e Rexhep Ferrit është se ai i gërsheton kërkimet tematike të tabanit të romantikës kombëtare, me mjetet shprehëse moderne ku preferohen stilizimet jopërshkruese dhe thelbësisht reduktuese. Ky dualizëm ngërthen një kontradiktë jo fort të zakonshme. Ferri ka një sens prej patrioti dhe si artist gjithnjë gjakon zbulimin e një ‘pikture kombëtare’ që do të duhej të ishte një lloj kuintesence figurative e truallit dhe e shqiptarizmës”, shkruan Maliqi.

“Por ky sentiment motivues gjithnjë i nënshtrohet një disiplinimi maksimal profesional. Përkushtimi prej piktori atij nuk i lë asnjë dyshim sa i përket intencës dhe realizimit artistik të veprës. Vepra në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë thjeshtë ilustrative, manifestative ose monumentale, aq më pak e ëmbël ose patetike”, shton ai.

Mes tjerash, Maliqi thotë se Ferri ka qëndruar larg imponimeve ideo-stigmatizuese, duke shtuar, se i ndjeri refuzonte “përdhunimin ideologjik të artit”.

“Edhe pse në artin e tij ka diçka vërtet emblematike, Ferri u largohet imponimeve të drejtpërdrejta ideo-stigmatizuese, si p.sh. përdorimit të simboleve dhe të heraldikës kombëtare me funksione të jashtme paraduese, siç bën zakonisht arti i dobët propagandistik. Në të vërtetë, Ferri gjithnjë i është frikësuar urdhërit përçudnues të dogmës soc-realiste që artin e bënte shërbëtor të një ideologjie”, shkruan Maliqi.

“Ai është përpjekur, kuptohet në mënyra subtile, shpesh edhe pahetueshëm, për distancimin e asaj që ai e konsideronte vlerë figurative kombëtare nga përdhunimi i popullizmit të rremë e mashtrues komunist. Por, ai refuzon edhe çdo lloj tjetër të përdhunimit ideologjik të artit; madje sikur shpall dogmën e kundërt: ideologjia që e ngjiz dhe e motivon krijuesin patjetër duhet t’u nënshtrohet lligjeve të artit”, shton ai.

Maliqi kishte diçka për të thënë edhe mbi veprën e Ferrit, “Atdheu im torzo”.

“Kështu, në ciklin e fundit “Atdheu im torzo” entuziazmi patriotik i nënshtrohet një kontrolli aq të rreptë dhe reduktues, sa që në veprën nuk mbetet asnjë element gjasimi me motivin që pikturohet”, shkruan ai.

“Metafora e madhe tretet në minimalizmin e qasjes; kërkesa artistike mbahet e pamëshirshme ndaj konfiguracioneve simbolizuese të çfarëdo lloji. Me këtë arti ferrian arrin pikën e paradoksit, ngase inspirimi dhe hovi epik përfundon me një vizion të kulluar lirik, pothuajse të ‘psherëtimës’ dhe ‘pasthirmës’ figurative”, shton ai.

Në fund, Maliqi e cilëson Ferrin, si Ali Podrimja “i arteve figurative”.

“Analogjia më e afërt e këtij paradoksi mund të gjendet në poezinë e Ali Podrimjës, që është pothuajse krejtësisht epike për nga frymëzimi dhe motivet, por edhe krejtësisht subjektive, puritane dhe reduktuese për nga mjetet e shprehjes. Pra, Ferrin do të mund ta quanim Podrimja i arteve figurative kosovare”, përfundon ai.

Përndryshe, akademiku Rexhep Ferri është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçe – kështu njoftuan familjarët e tij të enjten e 6 qershorit.

Ferri i përket gjeneratës së artë të piktorëve kosovarë dhe është i njohur për kontributin e tij të rëndësishëm në artin vizual dhe letërsinë shqipe.

Në artin vizual, ai kishte krijuar një numër të madh pikturash dhe vizatimesh që shpesh përfshinin motive të natyrës, portrete dhe skena të jetës së përditshme.

Stili i tij artistik është i njohur për kombinimin e elementeve të realizmit dhe abstraksionit, duke sjellë një qasje unike dhe të veçantë në artin e tij.

Si poet, Ferri ka botuar disa vëllime me poezi, duke treguar një ndjeshmëri të thellë dhe një përdorim të shkëlqyeshëm të gjuhës shqipe.

Poemat e tij shpesh preknin tema të jetës, natyrës dhe përvojave personale të autorit.

Ferri u lind në Kukës të Shqipërisë në vitin 1937. Më 1958 mbaroi Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Në vitin 1962 botoi poezitë e para, nga cikli “Shëtitësit e lodhur” në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë dhe paralajmëroi se “poezia dhe letërsia në përgjithësi do të jetë preokupimi i tij pothuaj po aq sa edhe artet pamore”, sipas biografisë të publikuar në faqen zyrtare të ASHAK-ut.

Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd ndërsa në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare po në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori “çmimin e Dhjetorit” të Kuvendit të Kosovës për kontributin e tij në fushën e arteve figurative.

Në vitin 1974 u zgjodh pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë.

Në vitin 1996, Ferri u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK-ut, ndërsa anëtar i rregullt në vitin 2000. Më 1999 u vendos në pozitën e sekretarit të Seksionit të Arteve në ASHAK.

Në vitin 2010, ASHAK-u botoi monografinë ku pasqyrohet i tërë opusi artistik i Ferrit.

Për kontributin e tij në art dhe kulturë, Rexhep Ferri ishte nderuar me disa çmime dhe vlerësime të ndryshme, duke përfshirë edhe njohjen nga institucione kulturore dhe artistike në Kosovë dhe jashtë saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore