Kosova

IKSHPK apelon për kujdes nga temperaturat e larta


Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbrohen nga temperaturat e larta.

Përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social, Facebook, nga IKSHPK-ja, kanë treguar se kjo valë e nxehtit mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve.

“Periudhat e zgjatura me temperatura të larta gjatë ditës dhe natës krijojnë stres të grumbulluar në trupin e njeriut dhe rrisin rrezikun e sëmundjes dhe vdekjes nga ekspozimi ndaj nxehtësisë. Paaftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e brendshme dhe për të eliminuar nxehtësinë e grumbulluar gjatë temperaturave të larta e rrit rrezikun e rraskapitjes nga nxehtësia dhe goditjes nga nxehtësia”, kanë thënë nga IKSHPK-ja.

Tutje, ata njoftuan se nxehtësia ekstreme mund të përkeqësojë gjendjen shëndetësore të personave që kanë sëmundje kronike.

Andaj, ata kanë udhëzuar qytetarët se si të veprojnë në këto temperatura të larta.

“Shmangni të dilni jashtë dhe të bëni aktivitete të rënda gjatë kohës më të nxehtë të ditës”.

“Qëndroni në hije. Mos harroni se temperaturat e perceptuara në diell mund të jenë 10-15 ˚C më të larta”.

“Kaloni 2-3 orë gjatë ditës në një vend të freskët”.

“Jini të vetëdijshëm për rrezikun”.

“Qëndroni të informuar për paralajmërimet zyrtare rreth temperaturave të larta”.

“Mbajeni shtëpinë tuaj të freskët”.

“Përdorni ajrin e natës për të ftohur shtëpinë tuaj duke hapur dritaret në mbrëmje kur temperatura e jashtme është më e ulët se ajo e brendshme”.

Ndryshe, Kosova është duke shënuar temperatura të larta kohëve të fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore