Shqipëria

Idrizi: Çështja çame do të rikthehet në Parlamentin e Shqipërisë


Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idrizi, në një dalje për mediat u ka bërë thirrje qytetarëve dhe opinionit publik të mos harrojnë Çamërinë.

Në kuadër të nisjes së aktiviteteve për “Javën Çame”, që përkujton masakrat mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë, ai tha se do të jetë në Kuvend bashkë me deputetët e tij.

Idrizi theksoi se do të rikthehet çështja “çame” në Parlamentin e Shqipërisë.

“Pa dyshim në shtator jemi në Parlament për të paraqitur iniciativa ligjore për çështjen çame. Do të rikthehet çështja çame në parlamentin e Shqipërisë, do të tentojë të thyejë heshtjen mbi çështjen çame”.

Ndër të tjera, tha se duhet “ngritur zëri dhe karshi heshtjes së shtetit për çështjen çame”.

Fillimi i çështjes çame

Çështja “çame”, problemi i minoritetit shqiptar në Greqi, lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913. Ajo e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe ia aneksoi Greqisë.

Që nga kjo kohë fillon një presion i vazhdueshëm, një politikë sistematike e shtetit grek dhe e forcave të ndryshme ultranacionaliste për shkombëtarizimin e kësaj treve.

Për këtë qëllim u përdorën të gjitha mënyrat, si tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë deri në masakrat e përgjakshme.

Çështja çame në Shqipëri

Përveç persekutimit ndaj personaliteteve me origjine çame, çështja e Çamërisë gjatë komunizmit në Shqipëri (1944-1991) mbeti në heshtje.

Heshtja mbi 45-vjeçare mbi çështjen çame gjatë sistemit komunist do të përfundonte me rënien e regjimit, ku komuniteti i shqiptarëve të Çamërisë u riorganizua në shoqata, parti politike dhe grupime të tjera, për të unifikuar qëndrimet dhe kërkesat në lidhje me kauzën e tyre.

Çështja çame në tri dekadat e fundit arriti të kombëtarizohet, por edhe të trajtohet nga përfaqësuesit e këtij komuniteti edhe në organizma ndërkombëtare.

Pjesëtarët e këtij komuniteti që jetonin në Shqipëri, që kishin ruajtur kulturën, traditat dhe fenë e tyre, historinë, krijuan fillimisht në vitin 1991 Shoqatën Patriotike “Çamëria”, e cila në vitet e para të tranzicionit, por edhe në vijim u angazhua për ruajtjen e kulturës, historisë dhe traditave të çamëve.

Përfaqësimi i çamëve në aktivitetin politik

Shqiptarët e Çamërisë i kushtuan rëndësi edhe përfaqësimit politik, ku aktualisht vepron Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU).

Përfaqësuesit e partisë kanë pasur edhe poste të rëndësishme në institucionet e shtetit shqiptar.

Kështu, zhvillimet gjatë tranzicionit në Shqipëri në lidhje me çështjen çame ishin të karakterit legjislativ, politik dhe përkujtimor.

Kuvendi i Shqipërisë më 8 prill 2004 miratoi edhe një rezolutë për “çështjen çame”, e cila hyri në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare nëntë vite pas miratimit.

Ajo vlerësonte se është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët (Shqipëria dhe Greqia).

Rezoluta e cila është në fuqi ngarkon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.

Gjithashtu me anë të saj, i kërkohet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë të shtojë më tej përpjekjet për zgjidhjen e çështjes së pronave dhe pasurive të tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura ndërkombëtare.

Po ashtu, rezoluta i kërkon Qeverisë së Shqipërisë që nëpërmjet grupeve të posaçme të punës të bashkëpunojë me palën greke dhe të përshpejtojë fillimin e negociatave me qeverinë greke për zgjidhjen e këtij problemi.

Një moment tjetër i rëndësishëm për kauzën çame sidomos në aspektin e përkujtimit të viktimave të gjenocidit, është edhe ndërtimi i “Varrezave Monumentale për Shqiptarët e Çamërisë”, në Sarandë.

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Çamërisë, por edhe të tjerë të organizuar në shoqata dhe grupime të ndryshme, kanë kërkuar ndër vite, që politika në Shqipëri dhe veçanërisht institucionet e shtetit shqiptar të unifikojnë qëndrimin e tyre për zgjidhjen e çështjes çame.

Nga ana tjetër pritet me interes nga shqiptarët e Çamërisë, por edhe me gjerë nëse në marrëveshjet për çështjet e hapura mes Greqisë dhe Shqipërisë, do të përfshihet edhe çështja çame.

PDIU për çamët

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) që mbron të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë ka insistuar vitet e fundit që pjesë e bisedimeve Shqipëri-Greqi të jetë edhe zgjidhja e çështjes së shqiptarëve të Çamërisë.

Edhe në ditët e sotme, kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë ato të lëvizjes së lirë, të gëzimit të pronave të tyre dhe të njohjes dhe pranimit të gjenocidit, që mbetet një plagë e hapur edhe sot, pasi as ata që lindën në Çamëri, por edhe pasardhësit e tyre nuk mund t’i vizitojnë trojet e të parëve.

Pelegrinazhet, ekspozitat, aktivitetet përkujtimore dhe të tjera janë pjesë e “Javës Çame” që organizohet çdo vit në muajin qershor, ku synohet të sillen në vëmendje vuajtjet dhe të mos harrohet gjenocidi, por edhe të ruhet dhe transmetohet kultura çame në Shqipëri dhe më gjerë.

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore