Sport

Ibrahimovic: Po rikthehet “Zoti”, tani do të ndryshojë muzika


Zlatan Ibrahimovic është gati të rikthehet pas dëmtimit dhe të luajë ndeshjen e parë në këtë sezon për Milan-in.

Sulmuesi 41-vjeçar iu nënshtrua një operacioni në fund të sezonit të kaluar, çka bëri që të jetë jashtë fushave deri më tani.

Megjithatë, rikthimi i Ibra-s tani do të ndodhë, i cili pritet të jetë i gatshëm në ndeshjen e ardhshme të Milan-it, që do të përballen të premten me Torinon.

Suedezi ndjehet gati për të ndihmuar Milan-in në një moment krize, ndërsa së fundmi tha se me rikthimin e tij, do të ndryshojë edhe atmosfera në klubin kuqezi.

“Jam Zoti dhe mbetem numri një. Tani jam rikthyer dhe muzika do të ndryshojë, kam shumë ambicie dhe dua të ndryshoj shumë gjëra”, u shpreh fillimisht Ibra.

“Në këto shtatë-tetë muaj kam humbur shumë kohë. Unë nuk jam i shqetësuar për faktin se skuadra është në krizë, janë gjëra normale në futboll por kalojnë shpejt. Duhet të flasim më pak dhe të shprehemi më shumë në fushë”, shtoi sulmuesi.

Kampionët e Italisë janë kritikuar së fundmi për rezultatet e dobëta që kanë marrë në këtë vit, por Ibra tha se këto kritika do t’i ndihmojnë ekipit të tij.

“Janë normale pasi nëse nuk ka kritika atëherë do të thotë se nuk je në majë. Unë kritikohem prej 25-vitesh, por jam numri një dhe jam mësuar. Është njësoj si t’i shtosh benzinë një objekti që po digjet dhe kushdo që luan me zjarrin, digjet”, tha Ibrahimovic.

“A ndjehem ende një Zot? Patjetër që po, asgjë nuk ka ndryshuar. Tani ndjehem shumë mirë, rikuperimi shkoi sipas planit”, u shpreh Ibra.

Kujtojmë që pas rezultateve të dobëta, Milan-i tani ka zbritur në vendin e gjashtë në tabelë me 38 pikë, por ka vetëm një pikë më pak se vendi i katërt që mbahet nga Lazio.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore