Shqipëria

Ibrahimaj: Projekti i Durrësit, për herë të parë shteti ka të drejtën e vetos


Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ka deklaruar se Projekti i Portit të Durrësit është investimi më strategjik dhe projekti më i madh në rajon.

Pasi realizim i tij do të ndikojë në rritjen e ekonomisë së vendit dhe gjenerimin e 12 mijë vendeve të punës.

Ministrja Ibrahimaj tha se për herë të parë shteti është aksioner në një investim të tillë dhe se ka të drejtën e vetos për çështje shumë të rëndësishme.

“Porti tregtar i Durrësit nuk do mbyllet, pasi faza e parë e punimeve nuk e prek. Kur të nisë faza e dytë e projektit, porti tregtar do të zhvendoset në atë të Porto Romanos”.

Ibrahimaj shtoi se ky projekt nuk është vetëm më i madhi në Shqipëri, por në rajon me vlerë 2.1 miliardë euro.

“Ne kemi negociuar për më shumë se një vit, dhe nga 33 kërkesa të investitorit kemi pranuar vetëm 5. Shteti do jetë aksioner me 33% dhe nuk do ndryshojnë në asnjë moment dhe ne kemi të drejtën e vetos për çdo vendimmarrje të rëndësishme”.

Ajo tha se nuk ka asnjë përjashtim nga TVSH dhe kontributet janë 1.1 miliardë euro, e do arkëtohen në formën e taksave në 20 vitet e ardhshme.

“Toka as nuk falet dhe as nuk shitet. Procedura bën që të jetë projekti i parë ku qeveria bëhet aksionere”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore