Kosova

“I paafti Hekuran Murati më mirë të shkojë në shtëpi” – Bajrami i kundërpërgjigjet ministrit


Hykmete Bajrami

“Nëse ai ankohet prapë që LDK-ja si parti opozitare nuk po e lejon që ta bëjë punën siç duhet, unë mendoj që ai duhet të shkojë në shtëpi”, ka thënë në një prononcim për Albanian Post deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, pas akuzave të ministrit të Financave, Hekuran Murati, se LDK-ja me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për çmimet tavan e ka bllokuar procesin e uljes së çmimeve.

“Në qoftë se ai me përkrahjen që e kanë marrë me mbi 50 për qind, dhe në vitin e tretë të mandatit po ankohen që një parti opozitare nuk po i lenë me implemetu programin, atëherë ai më mirë është që të shkojë në shtëpi, t’ia lë dikujt tjetër që di t’i kryejë këto punë”, deklaroi ajo për AP.

Ndërkaq, ajo beson se “si ministër i Financave, që ka hyrë në vitin e tretë të qeverisjes duhesh të jesh tepër në siklet që të çohesh ditën e shtune dhe të sulmosh opozitën”,

“Kjo ndodh veç në raste kur nuk ke asnjë gjë për t’i raportuar qytetarëve të vendit, prej të cilëve e ke marrë mbështetjen me shumicë, dhe pastaj çohesh e sulmon opozitën”.

Por, përveç kësaj, për deputeten e LDK-së, edhe vetë postimi i Muratit, ku akuzonte partinë e saj, kishte kundërthënie.

“Postimi kishte kundërthënie, sepse ai shpjegon se si ka rënë çmimi i naftës dhe ai i vajit, ndërsa në pjesën e dytë thotë se LDK-ja i ka fajet për mos uljen e çmimeve për shkak se sipas tij është ligji që i cakton masat dhe ne e kemi dërguar në Gjykatën Kushtetuese”.

“Vetë rënia e çmimeve, vetë rënia e inflacionit në nivelet 6 për qind sipas ASK-së, tregon që këto janë cikle ekonomike, dhe inflacioni është diçka që varet prej faktorëve të jashtëm”, shpjegoi ajo.

Kosova sipas nenit 10 të Kushtetutës është ekonomi e tregut të lirë, dhe duke u thirrur në këtë mekanizëm kushtetues, Bajrami thekson se “është mekanizimi i tregut të lirë dhe i konkurrencës i cili i rregullon më së miri çmimet, dhe nuk është shteti ai i cili i cakton çmimet e tregtareve.

“Nuk ka sektor në të cilin ne sot kemi monopole, aty ku ka monopol ka edhe rregullator, p.sh është rasti tek rregullimi i çmimeve të energjisë elektrike. Ndërkohë, në sektorë të tjerë ti i ke mekanizmat e tjerë, e ke ligjin për rregullimin e konkurrencës, pra janë dispozita të caktuara, e ke inspektoratin e tregut”.

Sipas ish-ministres së Finacave, udhëheqësi i tanishëm i këtij dikasteri “ka dështuar komplet në punën e tij në menaxhimin e këtij sektori”.

“Deri më sot asnjë politikë fiskale, ka hyrë në vitin e tretë të mandatit, nuk e ka prezantuar”.

Sipas saj i vetmi ndryshim që e ka bërë Murati, “dhe e ka bërë për të keq; është ngritja e tatimit në pronë, të cilin pastaj është munduar që ta rregullojë”, por siç vlerëson Bajrami “sipas gjitha gjasave veç sa po i bënë dëm ekonomive familjare dhe bizneseve në përgjithësi”.

“Kështu që ministrit të financave i them që të mos bëjë ligje anti-kushtetuese, sepse ne do të detyrohemi prapë që të dërgojmë ligje në Gjykatë Kushtetuese”, iu përgjigj ajo Muratit.

Murati në postimin e tij në rrjetin social Facebook duke u thirrur në raportin e Agjensionit të Statistikave të Kosovës (ASK), tha se ka rënie të inflacionit, si dhe shtoi se kemi ulje të çmimeve për disa produkte.

Për Bajramin në indeksin e publikuar nga ASK-ja, është tregues që ka, “por prapë kemi inflacion”.

“Nëse i krahasojmë çmimet e prillit të këtij viti me çmimet e prillit të vitit të kaluar, prapë çmimet janë dikund rreth 6, 3 për qind më të larta”.

“E, kur e dimë që në prillin e vitit të kaluar kemi pasur inflacion 10-11 për qind, kjo nënkupton që çmimet janë jashtëzakonisht të larta”, vuri në pah ajo.

Gjithashtu, deputetja e Kosovës beson se “ende ka hapësirë që përmes politikave fiskale të ndikojë për ta përmisuar ambientin e biznesit, me e përmisu konkurrencën e ndërmarrjeve tona”, të cilat sipas saj “do të ndikonin në uljen e çmimeve”.

“Ajo çka është evidente d.m.th çmimi i karburanteve ka rënë, dhe nuk ka rënë si rezultat i politikave të qeverisë, ka një kohë të gjatë tanimë që ministria e Industrisë nuk është duke i caktuar, siç i caktonte marzhat e fitimit, është mekanik mekanizmi i tregut që ka rregulluar këtë”.

“Unë besoj që ministri i Financave ka dështuar që t’i rrisë pagat në sektorin publik, ka dështuar në përmisimin e ambientit të bizneseve, ka dështuar që të bëjë qoftë edhe një reformë të vetëm fiskale, e cila do të ndikonte në konkurrencën e ndërmarrjeve tona dhe do të ndikonte në uljen e çmimeve në përgjithësi, dhe në rritjen e standardeve të qytetarëve”.

Gjithashtu, ajo ngriti shqetësimin e saj sa i përket politikave fiskale, të cilat nuk kanë pësuar reformë që nga viti 2016, në kohën kur ministër i Financave ishte Avdullah Hoti.

“Përfundimisht politikat tona fiskale janë të vjetra dhe duhet që t’i adaptohemi rrethanave ku ndodhemi tani”, shtoi Bajrami.

Tutje, ish-ministrja nënvizoi se “një ministër i Financave që shumën e subvencioneve e ka pesë herë më të madhe se investimet kapitale, atëherë nuk di çfarë të them këtu”.

“Ai nuk din asgjë tjetër, veçse ta kritikoi opozitën, dhe din që tu ulet për të shkruar vendime se si të ju jap njerëzve lëshosh; pra me marrë prej sektorit privat dhe mandej më shpërnda kudo që mundet për ta blerë paqen sociale”.

“Kjo veç ekonomik vendit nuk i sjellë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore