Kosova

“I frikshëm dhe katastrofë”, “Legalizim i pushtetit të Serbisë në Kosovë”, reagime për draft-statutin e Asociacionit


Ilustrim

Publikimi i draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nga ish-Inspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani të shtunën ka ngjallur shumë reagime.

Për kryetarin e Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, draft-statuti për Asociacionin “është i frikshëm” dhe “katastrofë”.

“E lexova Draftin e Asociacionit të publikuar nga Burim Ramadani. Nga shumë burime po del që ky është drafti që iu është prezantuar palëve. Është i frikshëm. E gjymton funksionimin e shtetit dhe perspektivën e shoqërisë. Asnjë asociacion nuk është i mirë, por ky që u publikua sot është katastrofë”, shkroi ai në Facebook.

Ndërsa analisti politik dhe filozofi Afrim Kasolli, ka theksuar se mbetet të shihet a është ky draft-statuti final i Asociacionit, i cili është publikuar nga Ramadani.

“Deri më tani Qeveria e Kosovës ka heshtur. Por nëse është ky, atëherë çdo gjë është e bërë e qartë edhe sa i përket konceptit të njohjes de facto. Ajo qenka legalizim dhe bekim faktik i pushtetit të Serbisë në Kosovë. Asgjë më shumë”, ka shkruar ai në Facebook.

Publikohet draft-statuti “evropian” me të cilin është pajtuar qeveria, është pothuajse identik me statutin e propozuar nga Edi Rama

Ndryshe, ky draft është në mbi 90 për qind i njëjtë më atë që e kishte propozuar Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u bë publik para disa ditëve.

Sipas këtij drafti të publikuar nga Ramadani, selia e Asociacionit do të jetë në Mitrovicën e Veriut – komunë e banuar me shumicë serbe – “përpos nëse komunat anëtare vendosin ndryshe pastaj”.

Aty thuhet se Asociacioni, i themeluar me këtë Statut, ofron një kornizë vetë-menaxhuese për komunitetin serb të Kosovës brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale dhe nuk do të fitojë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare të saj.

Korniza, theksohet aty, përfshin mbështetjen e ofrimit të shërbimeve të koordinuara në fusha specifike, me mundësinë për mbështetje financiare nga Serbia dhe një kanal efektiv komunikimi i drejtpërdrejtë për komunitetit serb të Kosovës në Qeverinë e Kosovës përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Sa i përket mbështetjes financiare ose tjetër e marrë nga Asociacioni, në bazë të këtij drafti, “do t’i nënshtrohet mbikëqyrjes dhe auditimit të Autoriteteve Qendrore siç përcaktohet në këtë Statut dhe ligjin në fuqi”.

Sipas këtij drafti, Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore, “të cilat janë të financuara drejtpërdrejt nga Serbia, në përputhje me procedurat specifike të përcaktuara në këtë Statut dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi”.

Po ashtu, Asociacioni do të mund t’i këshillojë anëtarët e vet që të kundërshtojnë kushtetutshmërinë e ligjeve ose akteve të Qeverisë nëse ka pretendime të tilla.

Sa i përket autoriteteve qendrore të Asociacionit, janë Kryetari, Kuvendi, Qeveria dhe Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, ndërsa organi suprem i këtij mekanizmi do të jetë Kuvendi.

Draft-statutin emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor, derisa ky i fundit pas takimit me liderët evropianë në Bruksel muajin e kaluar ka thënë se është i gatshëm të nënshkruajë marrëveshjeve me Serbinë, e cila garanton zbatimin e tyre, që përfshinë edhe draftin evropian për Asociacionin.

Nenet kryesore të draft-statutit “modern” të Asociacionit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore