Kosova

“I dridhej zëri, kërkonte ndihmë – thoshte se po qajnë fëmijët”, Gashi tregon detaje për komunikimin me Osmanin për incidentin në Aeroportin e Shkupit


Foto: Albanian Post

“Më thirri presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dridhej zëri, kërkonte ndihmë. Ajo më tha se kishte probleme në aeroportin e Shkupit dhe se ishte ndarë nga fëmijët që ishin gjithashtu në aeroport”.

Kështu ka thënë këtë martë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, pasi është pyetur nga gazetarët për incidentin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin e Shkupit në fillim të këtij muaji, meqë kjo fundit kishte kërkuar ndihmë nga kryekuvendari i RMV-së.

“Më tha se fëmijët ishin shumë të frikësuar dhe po qanin. Më duhej të ndihmoja. Nuk e di se cili person nuk do të ndihmonte nëse dikush lutet për ndihmë”, ka treguar Gashi.

Më 1 gusht, Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit, pati theksuar se në aeroport presidentes sigurimi ka tentuar që t’ia marrë telefonin personal, por Osmani kishte refuzuar.

“Në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë”, thuhej në reagim.

Mediat në Maqedoni: Incident me Vjosa Osmanin në aeroportin e Shkupit, refuzoi ta hap valixhen – u nxorën edhe armët

Ai kishte potencuar se përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, “sigurimi ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”.

“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes”.

Kupina kishte treguar se është vërejtur qartë se në rastin në fjalë kishte tendencë për ta provokuar delegacionin e Kosovës dhe për të shkaktuar incident, derisa Osmani e kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi, për t’i kërkuar ndihmë.

Ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, kishte njoftuar se Osmani teksa po kalonte kontrollin kufitar, në momentin kur asaj iu kërkua që telefonin e saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka kërkuar që Osmani të kalonte pa u skanuar fare.

Edhe Aeroporti i Shkupit nëpërmjet një komunikate për media kishte njoftuar se punonjësit sipas rregulloreve ndërkombëtare kanë për obligim ligjor që të kryejnë kontroll sigurie ndaj të gjithë pasagjerëve, bagazheve dhe mallrave në fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, pas takimit me homologun e tij kosovar Albin Kurti, gjatë këtij muaji, kishte deklaruar se i vjen keq për çfarë ka ndodhur Osmanit, por kishte nënvizuar se asaj i është kërkuar një procedurë standarde nëpër të cilën kalon secili zyrtar, madje edhe ai vetë e po ashtu edhe presidentja e Maqedonisë së Veriut.

“Kush i ka shkaktuar probleme Presidentes”, MPB-ja maqedonase për incidentin e Osmanit: Sigurimi i Gashit kërcënoi sigurimin e aeroportit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore