Kosova

“I bindur në pafajësinë e Pal Lekajt”, thotë Haradinaj


Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe deputeti Pal Lekaj.

Ish kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush  Haradinaj, ka thënë se beson në pafajësinë e deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, i cili të mërkurën u dënua me 3 vjet.

Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, është shprehur i “befasuar”, nga vendimi i Gjykatës.

“Jam i befasuar nga vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore për rastin e kolegut Pal Lekaj! Dua të besoj fuqishëm në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën e Apelit e cila do ta zbardhë të vërtetën dhe do ta shkarkojë nga çdo akuzë ish-ministrin Lekaj”, ka shkruar Haradinaj.

“Çdo person është i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë! I bindur në pafajësinë e kolegut Lekaj!”.

Më 31 janar, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili të mërkurën e dënua me 3 vjet e 8 muaj burg efektiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një postimi në llogarinë e tij Facebook, tha se aktgjykimi ndaj tij “është i padrejtë dhe i pabazuar”, prandaj është edhe i pafajshëm

“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje”.

Sipas Gjykatës, Lekaj është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të Kosovës në rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Përveç dënimit me burg, Gjykata ka ndaluar për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike për Lekajn.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore