Lajme

U dënua me 3 vjet burgim, Lekaj: Jam i pafajshëm, vendimi i gjykatës i padrejtë e i pabazuar


Pal Lekaj

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, i cili të mërkurën e dënua me 3 vjet e 8 muaj burg efektiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë, përmes një postimi në llogarinë e tij Facebook, tha se aktgjykimi ndaj tij “është i padrejtë dhe i pabazuar”, prandaj është edhe i pafajshëm

“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje”.

Sipas Gjykatës, Lekaj është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare e dëmtim me dashje të buxhetit të Kosovës në rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.

Megjithatë Lekaj ka thënë se ai si ish-ministër i Infrastrukturës “nuk e ka tejkaluar kompetencat e as keqpërdorur pozitën e ministritë”.

“Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL. Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë. I bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi”.

Përveç dënimit me burg, Gjykata ka ndaluar për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike për Lekajn.

U dënua me 3 vjet burgim, Lekaj: Jam i pafajshëm, vendimi i gjykatës i padrejtë e i pabazuar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore