Lajme

I arrestuari i tretë për vrasjen në Prishtinë është pjesëtar i FSK-së, e konfirmon Ministria e Mbrojtjes


Forca e Sigurisë së Kosovës.

Ministria e Mbrojtjes, e ka konfirmuar se njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Liridona Ademaj është edhe pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kushtrim Kokalla.

Përmes një komunikate për media është thënë se ky rast do të trajtohet edhe brenda Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”.

Bashkëshorti i Liridona Ademaj, i dyshuari Naim Murseli, e ka pranuar para hetuesve se e ka porositur vrasjen e bashkëshortes së tij te i dyshuari G.P.

Kështu kanë bërë të ditur burime brenda Albanian Post se i dyshuari Murseli ia kishte dhënë të dyshuarit Granit Plavës, 15 mijë euro para vrasjes, e 15 mijë të tjera do t’ia jepte pas kryerjes së veprës.

Pas arrestimit të dy personave të dyshuar për vrasjen e gruas në Prishtinë, të mërkurën e 29 nëntorit, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media kanë deklaruar se janë duke vazhduar me hetimet, teksa të dyshuarit janë në fazën e intervistimit.

Nga policia, është sqaruar se arrestimi i dy personave, njëri që është bashkëshorti i viktimës, ka ardhur pas bastisjeve në Gjakovë.

“Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”.

“Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtejmë ligjore”, thuhet nga policia.

Teksa është pohuar se prokuroria në koordinim me policinë është duke vazhduar ndërrmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast.

Çka ndodhi?

Tre persona janë arrestuar të cilët dyshohet për vrasjen e Liridona Ademajt të mërkurën me armë zjarri në Prishtinë përkatësisht në rrugën “Dalip Alshiqi”, derisa trupi i saj është gjetur në një veturë.

Nga mediat fillimisht është raportuar se njëri nga të arrestuarit është bashkëshorti i saj, Naim Murseli – këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli e më pas lajmi u konfirmua nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Lajmin për arrestimin e dy personave e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar”, ka thënë Ahmeti për AP.

Rasti është duke u hetuar si vrasje “me armë zjarr”.

Ngjarja e rëndë që kishte ndodhur më 29 nëntor, fillimisht dyshohej se kishte të bënte me plaçkitje nga e cila arritën të shpëtonin bashkëshorti dhe dy fëmijët e viktimës.

“Rreth orës 20:20, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në rrugën “Dalip  Alshiqi” në Prishtinë. Policia si dhe mjekët emergjent, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku në një veturë kanë hasë  një person pa shenja jete”, kishte thënë Ahmeti me 29 nëntor.

Ahmeti bëri me dije se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.

“Mbështetur në informacionet e para, dyshohet se bëhet fjalë për vrasje me armë zjarri”.

Ndërsa, policia në koordinim me prokurorinë, ka nisur hetim  dhe  ndërmarrjën e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, që do të ndihmoj hetimin e ngjarjes si dhe sqarimin e plotë të rastit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore