Kosova

Hyseni lirohet nga akuza për mosraportim të pasurisë


Ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skender Hyseni, është liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë.

Kështu ka vendosur Gjykata Themelore në Prishtinë të martën, meqë nuk është vërtetuar se Hyseni ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas aktgjykimit, mjetet me të cilat është blerë automjeti që rezulton i padeklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë, konkretisht automjeti nuk është provuar se rrjedh nga ndonjë veprimtari kundërligjore.

“Nuk ka dyshime se i akuzuari kishte ndonjë arsye për të mos e deklaruar këtë automjet, pasi kjo vepër kryhet vetëm me dashje”, thuhet në aktgjykim.

Ish-kryediplomati kosovar akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.

Për këtë akuzë, Hyseni ishte deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore