Kosova

Hyseni, Kurtit: Shqiptarët në RMV po i përjetojnë rënd gabimet që i ke bërë


Albin Kurti, gjatë vizitës në Tetovë në gusht të vitit të kaluar

Blerim Hyseni, analist politik shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i është drejtuar me një letër të hapur Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me gjendjen jo të duhur të shqiptarëve në RMV, pas marrjes së pushtetit nga VMRO-DPMNE-ja, derisa një pjesë të fajit ia ka atribuuar edhe Kurtit, duke qenë se i njëjti kishte mbështetur koalicionin “VLEN” në zgjedhje, të cilët tani janë pjesë e ekzekutivit të liderit nacionalist maqedonas, Hristjan Mickoski.

“Kryeministër përgjegjësia e Juaj nuk është të përfaqësoni vetëm Kosovën, por keni dëshmuar se dëshironi dhe keni ambicie për te përfaqësuar shqiptarët edhe jashtë Kosovës. Asnjëherë nuk iu kam kritikuar, asnjëherë nuk iu kam ofenduar, madje shpesh edhe publikisht ju kam mbështetur për disa veprime të cilat kam menduar që po veproni drejt dhe në interes të përgjithshëm shqiptar”, shkroi fillimisht Hyseni.

Për këtë të fundit, ai theksoi se nuk ka dilema as sot, por vlerëson se Kurti ka bërë disa gabime të cilat shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po i përjetojnë rënd, “e fatkeqësisht pjesë të fajit keni edhe Ju”.

“E kam parasysh oratorinë tuaj dhe mbështjelljen e tezave politike me dozë pragmatizmi, por sinqerisht ta them, ajo që sot po ndodh në Maqedoninë e Veriut, nuk ka ndodh as para luftës së lavdishme të UÇK-se në vitin 2001!”, shtoi.

Kryeministër, vazhdoi thirrjen e tij, në vend që të loboni në unitetin e faktorit shqiptar, “ju madje përsëdyti keni bërë përçarje të thellë e kjo po i mundëson faktorit maqedonas të tallet me faktorin shqiptar pjesëmarrës në qeveri, e si rrjedhojë edhe me gjithë shqiptarët”.

“E di që të preferuarit tuaj në skenën politike shqiptare në Maqedoni s’do te pajtohen”, potencoi Hyseni, duke iu referuar koalicionit “VLEN”, “sepse janë verbuar që me çdo kusht të jenë pjesë e pushtetit dhe këtë e arritën, por asnjëherë nuk u deklarove a vepruan mire!?”.

Analisti politik nga Kumanova i përmendi Kurtit faktin se në koalicionin qeverisës e ka edhe ai një deputet, këshilltarin e tij, Bekim Qokun, “i cili deri më sot asnjëherë nuk iu kundërvu politikave antishqiptare që po kultivohen si asnjëherë më parë në Maqedoninë e Veriut, vlerësoj që pjesë të përgjegjësisë keni edhe Ju”.

“Do të ishte e kuptueshme për mua, madje do të mbështetja me ngulm sikur emri i vetëvendosjes të shprehte edhe orientimin politik të shqiptareve këtu, por kjo jo që nuk guxon të përmendet nga të preferuarit tuaj në Maqedoni, por as mendja nuk iu shkon”.

Nëse ju në Kosovë, iu drejtua kryeministrit, “keni hequr të zinjtë e ullirit për vetëvendosje, pse neve në Maqedoni të mos vetëvendosim në zgjedhje, kush do t’i përfaqësojë shqiptarët, por me zgjedhjet e fundit parlamentare edhe atë të drejt të vetëvendosjes që e kishim e humbëm, pikërisht nga të preferuarit tuaj politik, të cilët për habi ishin edhe te preferuarit e kryeministrit Mickovski!”.

“Te preferuarit (për mos të thënë koalicioni i Juaj) tuaj i nderuar kryeministër nuk guxuan t’i kundërvihen Mickovskit kur përgjegjës për marrëveshjen e Ohrit e meruan një përfaqësues të partisë serbe, e që luan rolin e Radoijciç-it në Maqedoni, vetëm me mekanizma të ndryshëm!”, rikujtoi ai.

“I preferuari i Juaj Taravari, e dini se deklarohet se nuk e din as Himnin Kombëtar e për këtë nuk i vjen as turp ta pranoi, e dini se e mohon se në vitin 2001 ka pasur luftë, por thotë konflikt, e kjo i bie se paska qenë konflikt mes mahallash e jo luftë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare”.

“E dini ju kryeministër se kryetari i Kuvendit kur i thërret deputetët maqedonas të marrin fjalë nuk iu drejtohet shqip, por maqedonisht! E dini ju se tabelat e institucioneve që sipas ligjit duhet të jenë në dy gjuhë tanimë vendosen vetëm maqedonisht! E dini Ju se i vetmi mekanizëm mbrojtës gjatë konkurseve për punësim në administratë ka qenë balanseri, edhe ai do te hiqet dhe sipas gjitha gjasave më vështirë do të jetë punësim i ndonjë shqiptari në administratë publike e shtetërore!”, tregoi veprimet diskriminuese të qeverisë maqedonase në raport me shqiptarët.

Aspak, shprehet i bindur ai, “nuk do të habitesha” që ish-luftëtarin e UÇK-së, Blerim Ramadani, kjo përbërje e qeverisë ta ekstradonte në Serbi, por pyeti Kurtin se nëse do të ndodhte kjo, “mendoni se do të ishit Ju i pa fajshëm!”.

Mesë paku që do të priste nga Kurti, Hyseni tha se do të ishte që “të drejtën për të cilën keni luftuar Ju për vite të tëra, e që edhe partia juaj mban emrin të angazhoheshit që të vlejë edhe për ne në Maqedoni!”.

“Nga ju asnjëherë s’kam pritur politikë me dy standarde, me apo pa vetëdije me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut jeni duke e bërë, që për fat të keq pasojat do të jenë shumë të mëdha dhe afatgjate!”.

Hyseni nuk ka asnjë dilemë se pas luftës së vitit 2001-së, “s’do del forcë që shqiptarët do t’i nënshtrojë, por kur kjo tendencë vjen nga shqiptarët e preferuar nga JU qenka e dhimbshme dhe e pa tolerueshme”.

Ju keni përgjegjësinë ashtu siç keni vepruar para zgjedhjeve të veproni edhe pas zgjedhjeve, sa nuk është vonë, sepse pjesë e fajit jeni dhe nuk do të doja do të bëheni pjesë e dështuar e historisë kombëtare shqiptare, prandaj veproni sa nuk është vonë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore