Euro 2024

Hysaj kërkon ndjesë pas ‘gafës’ me Italinë, kërkon mirëkuptim dhe përqendrim për ndeshjet e ardhshme


Mbrojtësi i djathtë i Kombëtares shqiptare të futbollit, Elseid Hysaj, ishte ndër futbollistët e “linçuar” nga opinioni publik, për shkak të një rasti në golin e dytë të Italisë, ku Hysaj i shmanget topit të gjuajtur nga Barrela, i cili përfundoi më pas në rrjetën e Thomas Strakoshës.

Pikërisht për këtë, tifozët shqiptarë kanë shpërthyer në rrjet ndaj Hysajt, duke e etiketuar me përemra përçmues në disa raste dhe e duke e kthyer në një “meme” të vërtetë.

Kjo çoi edhe në mbylljen e mediave sociale nga vetë shkodrani. Por, tashmë, ai ka reaguar lidhur me rastin, ku ka kërkuar mirëkuptim dhe përqendrim për ndeshjet e ardhshme të Kombëtares.

“Pas ndeshjes me Italinë dhe evenimenteve te fundit, ndjej t’i kërkoj ndjesë të gjithë tifozëve shqiptarë për gabimin teknik dhe instiktiv që shkaktoi golin e dytë që pësuam. Është e tepërt të specifikoj që ishte pikërisht gabim loje dhe vlerësim i rremë i trajektores!”, e nis mbrojtjen e tij për rastin Hysaj.

“Kush më njeh”, vijon ai, “e di mirë që do jepja çdo forcë që kam e do bëja çdo sakrificë për ketë bluze, siç kam bërë gjithmonë. Më vjen keq për strumentalizimin pa vend nga shumë persona të gabimit përtej vlerësimit teknik. Nga ana tjetër falënderoj përzemërsisht të gjithë tifozët e panumërt që më kanë dërguar mesazhe konfortimi në forma të ndryshme. I pranoj me vetëdije kritikat dhe keqrdhjen e tifozëve anë e mbarë, të cilët pa përjashtim i mbaj në zemër. Tani të koncentrohemi te ndeshjet e ardhshme dhe forca Shqipëri gjithmonë”, përmbyll Hysaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore