Sport

Humbja ndaj Shqipërisë, gazetari polak për AP: Periudha më e keqe në historinë e Polonisë


Bartek Kubiak

Ajo që pritej të ishte një pikë kthese në vorbullën e skandaleve që ka përfshirë kombëtaren polake pas Kupës së Botës së Katarit, nuk ndodhi. Ndeshja e të dielës mbrëma në “Air Albania” tregoi edhe një herë se Polonia ka probleme, shumë probleme.

Polonia u rikthye në “Air Albania” me synimin për të rikujtuar atë ndeshje të fituar 1-0 në 2021 për llogari të kualifikueseve të Kupës së Botës 2022. Mirëpo, situata ishte krejtësisht e ndryshme.

Kuqezinjtë triumfuan 2-0 dhe tashmë e shohin veten në krye të Grupit E. Ndërsa polakët shpresojnë të arrijnë së paku vendin e tretë dhe të play-off. Kjo, ndonëse ka edhe tre ndeshje për t’u luajtur deri në fund të kualifikueseve dhe gjithçka mund të ndodh në futboll.

Bartek Kubiak, gazetar i të përditshmes sportive polake “Sport.pl” ka folur në një intervistë për Albanian Post (AP) rreth asaj që po ndodh dhe pritet të ndodh me ekipin polak të futbollit.

Për Kubiak, situata në kampin polak është “periudha më e keqe” në historinë e kësaj kombëtareje. Ai rreshton gjithashtu skandalet që kanë ndikuar negativisht duke sjellë Poloninë në gjendjen që e shohim aktualisht.

“Kjo është periudha më e keqe në histori për kombëtaren polake”, thotë Kubiak. “Filloi me Botërorin në Katar dhe shpërblimet e premtuara për lojtarët nga kryeministri. Shoqëria polake u tërbua.

“Dhe, më vonë pati skandale të tjera, me truprojën e Robert Lewandowski-t, me ndeshjen kundër Gjermanisë që (Fernando) Santos nuk donte të luante, dhe me aktivistët sportivë të PZPN-së (federata polake e futbollit) të dehur dhe një të dënuar për korrupsion, i cili u kthye me kombëtaren polake në të njëjtin aeroplan nga Kishinau në qershor”.

“Dhe së fundmi, intervista e Lewandowski-t në të cilën ai kritikoi të gjithë lojtarët”, vijon gazetari polak.

Kjo e fundit, në fakt, ishte si një e shtyrë që kapiteni dhe lojtari më i mirë polak i jepte një skuadre që ishte në buzë të greminës. Lewandowski akuzoi kombëtaren polake për “mungesë personaliteti”.

Robert Lewandowski

Megjithatë, në ndeshjen ndaj Shqipërisë lojtari i Barcelona-s ishte një nga futbollistët më të dobët në fushë, duke mos mundur të ndihmonte skuadrën apo t’i jepte forcën e duhur për t’u ringritur, sidomos pas pësimit të golit të parë.

Mirlind Daku shënoi golin e dytë për Shqipërinë në minutën e 62-të dhe aty ishte e qartë se asgjë nuk do të ndryshonte. Lojtarët e kombëtares polake qëndruan të palëvizshëm në gjysmën e tyre, secili larg njëri-tjetrit. Askush nuk u përpoq të bërtiste, për ta bërë skuadrën të luftonte. Ky ishte fundi.

Daku i përlotur: Golin ia kushtoj dëshmorëve të atdheut

Por, pavarësisht humbjes ndaj Shqipërisë dhe dështimeve të tjera para kësaj ndeshjeje, trajneri i Polonisë, nuk pranoi të jepte dorëheqjen. “As sot as nesër”, tha portugezi kur u pyet për një dorëheqje të mundshme.

Kubiak nuk mendon si Santos. Ai thotë se trajneri nuk do të jetë më në krye të kombëtares polake.

“Santos do të shkarkohet. Kjo është pothuajse e sigurt, sepse puna e tij ishte varur në balancë që nga qershori, që nga ndeshja kundër Moldavisë”, thekson gazetari polak për AP-në.

Madje, Bartek shkon më tej duke treguar edhe emrin e trajnerit të ri të Polonisë.

“Me gjasë trajneri i ri do të jetë Marek Papszun, i cili këtë vit fitoi kampionatin me Rakow Czestochowa. Kjo duhet të ndodhë në ditët në vijim”, shtoi Kubiak.

Në fund, Kubiak shtoi edhe diçka që i kishte lënë shije të hidhur nga ndeshja në “Air Albania”, por që nuk lidhej me rezultatin sportiv.

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) u mundua të bënte një gjetje duke nxjerrë dy tenorë të shquar për të interpretuar himnet e dy kombëtareve në fillimin e ndeshjes. Por, duket se himini polak ishte pak i vështirë për ta.

“Nuk dukej si himni polak”, thotë Bartek, por pranon se “Kjo nuk është asgjë e re për ne, sepse ne kemi pasur tashmë probleme me këtë në të kaluarën, për shembull në Kupën e Botës Kore dhe Japoni në 2002. Himni i djeshëm nuk ishte aq tragjik sa ai, por ishte afër”.

Në fund, gazetari polak uron Shqipërinë për fitoren e arritur dhe lojën e zhvilluar.

Përsa i përketë vijimit të ndeshjeve kualifikuese për Euro 2024, Shqipëria do të zbresë në fushë përsëri në muajin tetor me një takim. Më 12 tetor, kuqezinjtë do të presin Çekinë në “Air Albania”.

Në nëntor, përkatësisht, 17 nëntor do të luajnë në transfertë ndaj Moldavisë dhe më 20 nëntor do të mbyllin fushatën kualifikuese ndaj Ishujve Faroe në “Air Albania”.

Shqiponjat kuq e zi fluturojnë në ‘Air Albania’

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore