Sport

Humbësi “i suksesshëm”


Stadiumi mitik “Olimpico” ishte i tejmbushur më 26 maj.

Në Romë, luhej java e fundit futbollistike.

Lazio priste në fushën e saj Sassuolo-n.

Motivet e sportdashësve bardhekaltër nuk lidheshin fort me rezultatin e ndeshjes.

Ajo u mbyll në një barazim 1-1.

Trajneri që fitoi më shumë në kryeqytetin italian kishte mbërritur për të fundit herë.

Ndërsa Sven-Göran Eriksson parakalonte në pistën e stadiumit, një spektakël shpalosej para tij.

I denjë, për një mbret të Romës nga kahu historik i Lazio-s dhe mbështetësve të saj.

Suedezi u mbulua nga një ngazëllim i frymëzuar prej koreve të ndërprera vetëm nga duartrokitjet.

“Rikthimi në Olimpico ishte shumë i bukur. Të gjithë ishin aty duke kënduar. Ishte mbresëlënëse, aq sa qava nga lumturia. Më jep energji të jashtëzakonshme kur ndjej këtë ngrohtësi”, deklaronte Eriksson më pas.

Sytë e lacialëve ishin të përlotur po ashtu, pasi e dinin se ky ishte takimi i fundit mes tyre.

Në fillim të vitit, Eriksson kishte treguar haptazi për herë të parë për sëmundjen e tij – kancer pankreatik – i pashërueshëm.

“Svennis” (nofka e Eriksson – ed.) e bëri këtë me qetësinë dhe elegancën e tij të zakonshme, të njëjtat vlera që e kanë dalluar gjithmonë në stol.

Qetësia dhe eleganca, në fakt, e kombinuar me aftësitë e mëdha drejtuese, e bënë atë një prej të paktëve trajnerë të dashur nga të gjithë dhe të aftë për të shkruar faqe të pashlyeshme të historisë së futbollit.

Deri më sot, mbetet ende i vetmi trajner që ka regjistruar “dopietë” (kampionat dhe kupë në të njëjtin vit) në tre shtete të ndryshme (Suedi, Portugali dhe Itali ed.).

Kur ishte vetëm 33 vjeç Eriksson fitoi një Kupë historike UEFA me Goteborg-un.

Dhe nuk mbeti i pari në historinë e klubit, por i të gjitha klubeve suedeze dhe skandinave.

Pasi u transferua te Benfica, ai thuajse theu mallkimin e Bela Guttmann, duke i çuar Águias (Shqiponjat – ed.) në finalen e Kupës së Kampionëve (duke u mposhtur nga Milani legjendar i Sacchi-t).

“Serie A ishte liga më e mirë në botë kur Roma më ofroi detyrën e trajnerit. Të gjithë lojtarët më të mirë shkuan atje. Unë drejtoja Benfikën kur ata eliminuan Romën në çerekfinalen e Kupës UEFA një vit më parë, kjo është arsyeja që u bë ajo ofertë”, tregonte trajneri suedez.

Por, në vitin 1984 kishte ardhur koha për të lëvizur.

“Iu bashkova një ekipi të mirë, por të vjetër. Ata kishin pasur sukses me Nils Liedholm, një tjetër trajner suedez. Një vit para se të mbërrija, ata kishin fituar ligën italiane, sezonin e ardhshëm ata luajtën në finalen e Kupës së Evropës, ku humbën me penallti nga Liverpool”, vijonte Eriksson.

Para se të pranonte ofertën e Roma-s, Barcelona telefonoi Sven-in dhe i tha: “Mos shko në Romë. Eja tek ne, sepse në Itali nuk mund të ulesh në stol”.

Në Serie A, asokohe ishte e ndaluar që trajnerët e huaj të uleshin në stol.

Kjo nuk e ndihmoi aspak Eriksson-in, pasi qëndrimi në tribunë për një vit ishte i vështirë dhe skuadra luante keq.

Sven ishte një trajner pararendës pasi stili i tij i futbollit kërkonte që lojtarët (të famshëm ose jo) të bënin të dyja fazat si mbrojtjen ashtu edhe sulmin.

Nga pesë vitet e tij të para në Itali, dy të fundit ishin me Fiorentina-n.

Pas tre vitesh në Portugali, përsëri me Benfica-n, mori një ofertë në vitin 1992, nga Sampdoria.

Këtë herë, Roberto Mancini dhe Gianluca Vialli i kishin kërkuar presidencës së klubit emrin e Eriksson-it për trajner.

Ai e kishte kuptuar, pasi fill pas mbërritjes së tij, presidenti i bëri të qartë se do të shiste Vialli-n te Juventus-i.

“Nuk mund të konkurroj më me Milan-in, Juventus-in dhe Inter-in. Më duhet të filloj të shes lojtarë. Nëse doni të vini, jeni më se i mirëpritur. Nëse doni të ndryshoni mendje, jeni i lirë ta bëni këtë”, i kishte pohuar kryetari i klubit.

Por Eriksson e pranoi ofertën, dhe për të ishin pesë vite me shumë fat.

Trajneri suedez tregon se Sampdoria ishte si një klub familjar.

Ajo drejtohej nga familja Mantovanni; babai, djemtë, vajza e tyre.

Ishte një atmosferë shumë e bukur.

Skuadra fitoi vetëm një titull – Kupën e Italisë – në pesë vjet, por u paraqitën mirë në ligë.

Pas këtyre pesë viteve, si klubi ashtu edhe Eriksson menduan se ishte koha për të ndarë rrugët – kështu që suedezi firmosi për anglezët e Blackburn Rovers.

Disa ditë pasi kishte nënshkruar një kontratë, Lazio kontaktoi Sven-Göran Eriksson.

Ata kishin një ekip të mrekullueshëm, por nuk kishin fituar asnjë titull për më shumë se 20 vjet.

Duke i ditur ambiciet e tyre, Eriksson i kërkoi menjëherë drejtuesve anglezë që ta lejonin të kthehej në Itali.

Tre vjet e gjysmë me Lazio-n dhe shtatë trofe.

Nisja nuk ishte nga më romantiket.

“Ndryshova disa lojtarë që kishin qenë atje për një kohë të gjatë dhe që mendoja se nuk kishin mentalitetin e duhur. Guiseppe Signori ishte një prej tyre”, deklaronte Eriksson.

Signori në atë kohë ishte kapiteni lacial dhe golashënuesi më i mirë, si dhe luante për kombëtaren e Italisë.

Edhe pse konsiderohej si një mbret në qytet, Sven mendonte se ai nuk ishte i duhuri për të fituar trofe.

“Për dy javë, çdo ditë, isha me të: ‘Shite. Shite atë’. Papritmas ai e bëri, dhe mbështetësit u tërbuan absolutisht. Ata më urrenin, mendoj se donin edhe të më vrisnin”, përshkruan trajneri.

Përtej situatës së nderë me tifozët, disa muaj më vonë Lazio fitoi trofeun e parë – Coppa Italia – në drejtimin e Eriksson-it.

Askush nuk tha asgjë për Signor-in pas këtij momenti.

Ekipi kishte shtuar disa lojtarë fantastikë dhe të mëdhenj – Juan Sebastian Verón, Sinisa Mihajlovic, Roberto Mancini.

U bë një ekip fitues, siç duhej të ishte.

“Nga futbolli i mirë filluam të luanim futboll brilant. Kemi luajtur shumë ndeshje pa humbur, thjesht shkoi – fitore, pas fitoreje, pas fitoreje – dhe Juventus filloi të luftonte pak”, kujtonte Sven.

Gjithçka u vendos në javën e fundit të sezonit.

Lazio fitoi me Reggina-n (3-0) dhe ishte në pritje të rezultatit mes Juventus-it dhe Perugia-s.

Luhej pjesa e parë mes Perugia-s dhe Juventus-it – binte aq shumë shi sa ndeshja u vonua.

Arbitri i madh Pierluigi Collina, ishte kryesori i ndeshjes.

“Ata nuk mundën të shënonin, kështu që ne ishim kampionë. Ishte një mënyrë e çuditshme për të fituar, por një ditë e bukur, e bukur për çdo tifoz të Lazio-s”, thekson Eriksson.

Sipas tij, Lazio kishte kaq shumë lojtarë që mund të fitonin të vetëm një ndeshje.

“Lojtarë si Pavel Nedved, Mancini, Verón, Marcelo Salas. Secili prej tyre mund të shënonte, dhe të gjithë e bënë. Edhe ai ekip nuk kishte vetëm një drejtues, kishte 11”, mendonte trajneri suedez.

Prova më e mirë se sa të fortë ishin psikologjikisht erdhi pasi fituan ligën.

Katër ditë më pas u zhvillua ndeshja e dytë e finales së Kupës së Italisë.

Lazio do të përballej me Inter-in.

Ekipi nuk ishte stërvitur të hënën apo të martën, sepse të gjithë lojtarët dhe i gjithë qyteti po shijonin fitoren.

“Ju keni fituar gjithçka, na lini të fitojmë ne”, i kishte thënë trajneri i Inter-it, Marcelo Lippi kolegut të tij në një bisedë miqësore.

“Ju do të fitoni, sepse ne nuk jemi përgatitur fare, gjithçka është çmenduri”, i ishte përgjigjur Eriksson.

Por, një ditë para ndeshjes në dhomën e zhveshjes, Eriksson u tha lojtarëve: “Nëse jeni profesionist, dilni në fushë dhe fitoni”.

Ata e bënë dhe Lazio fitoi sërish.

Ky ishte mentaliteti fitues që kishte afruar trajneri suedez.

Madje, në fund e vlerësoi fitoren e kupës më shumë se ligën – jo për atë që bënë, por për mënyrën se si fituan.

“Më quanin ‘humbës të suksesshëm’ sepse shpesh shfaqnim futboll të shkëlqyer, por në fund nuk bënim hapin e fundit vendimtar duke fituar një titull”, ishte preludi i rrëfimit të Eriksson-it.

Ai mbante deri para pak muajsh rekordin për numrin e Kupave të Italisë të fituara si trajner (katër).

Rekorde dhe fitore të paharrueshme, që do të mbeten përgjithmonë në historinë e futbollit.

Eriksson dha një lamtumirë të ndjerë vetëm disa ditë para largimit të tij nga jeta, në një dokumentar të xhiruar nga Amazon Prime, të titulluar ‘Sven’.

“Kam pasur një jetë të mirë”, tha ai në fund të filmit. “Shpresoj që të më kujtoni si ai djali pozitiv që u përpoq të bëjë gjithçka që mund të bënte”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore