Shqipëria

Humbën jetën dy minatorë në galerinë e kromit në Tropojë, arrestohet drejtuesi teknik


Është arrestuar në flagrancë drejtuesi teknik i subjektit për shfrytëzimin e mineralit të kromit në Tropojë, ku si pasojë e shembjes një ditë më parë humbën jetën dy punëtorë.

Shtetasi A.R, 45 vjeç banues në Bajram Curri, akuzohet për “shkelje të rregullave në punë”.

Sipas Policisë, arrestimi i tij u bë sepse në fshatin Lajthizë, për shkak të mosmarrjes së masave për sigurimin teknik, në galerinë minerare humbën jetën dy punëtorët.

Viktimat ishin A.D, 41-vjeç banues në Tropojë dhe 43-vjeçari A. Zh nga Kepeneku.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:55, në fshatin Lajthizë në Tropojë.

Shembja e galerisë ka ndodhur në mbi 1 mijë metra thellësi duke vështirësuar punën e ekipeve të kërkim-shpëtimit.

Galeria e shembur e kromit në Tropojë është në pronësi të kompanisë ‘Vëllazëria Minerals Albania’. Kompania është regjistruar në 2012 dhe ka si objekt pune çfarëdolloj veprimtarie ne fushën e aktivitetin te mineraleve.

5 vite më parë ka pasur një shembje të minierës, ku një punëtor humbi jetën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore