Lajme

Qeveria për Albanian Post: Kurti ka qenë i njoftuar nga AKI-ja për atentatin


Kryeministrit i Kosovës, Albin Kurti, ishte i njoftuar për atentatin ndaj tij nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, por rasti nuk është bërë publik për të mos përhapur panik.

Kështu thuhet në një përgjigje me shkrim për Albanian Post nga zyra për media e kryeministrit Kurti.

“Institucionet e sigurisë i kanë ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtij veprimi”, thuhet në përgjigje.

Kurtit do t’i bëhej një atentat prej një shtetasi shqiptar, sipas të dhënave që kanë dalë nga publikimi i email-eve të ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano.

Të dhënat janë publikuar nga hacker-ët iranianë të njohur si grupimi “Homeland Justice”, të cilët kanë shpërndarë në median e tyre Telegram një dosje me mbi një gigabyte të dhëna, sa i përket korrespondencës së Nanos.

I dyshuari, siç shkruhet në mesazhin e informacionit nga Njësia Kundër Terrorizmit në Kosovë, ishte shtetasi Prek Kodra, qytetar shqiptar, me aftësi të jashtëzakonshme në qitje me snajper.

Dy persona të tjerë ishin në shënjestër të një sulmi të mundshëm po ashtu.

I pari, Xhavit Haliti, ish-deputet i Partisë Demokratike të Kosovës dhe tjetri, Ismet Hoxha, ish-pjesëtar i Shërbimeve Sekrete të Kosovës dhe i afërm i Kadri Velesit, ish-kryetar i Parlamentit të Kosovës.

Snajperisti Prek Kodra, siç përshkruhet në dokument, operonte në tre qytete: Tropojë, Ferizaj dhe Deçan.

Ky person, përshkruhet po ashtu si shtetas me rekorde të ndryshme kriminale dhe është hetuar edhe më parë nga njësi të sektorit të krimit, për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

Qëllimi i këtyre vrasjeve, ka qenë destabilizimi i Kosovës, ku skenari ka qenë ai, i cili me anë të vrasjes së Kurtit, do të arrinte ta dobësonte Lëvizjen Vetëvendosje në atë pikë, sa të rikthente në pushtet PDK-në dhe AAK-në.

Vrasjet, do të ndodhnin një muaj njëra larg tjetrës në afat kohor, duke shkaktuar edhe destabilizimin e vendit.

Njëkohësisht, Policia e Kosovës, veçanërisht njësia kundër terrorizmit, ka identifikuar 17 persona, të cilët mund të kenë pasur lidhje mbi këtë ngjarje dhe kanë ndërmarrë veprime të mëtejshme në këtë çështje, por pa bërë publike detaje specifike.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore