Kosova

Përfundojnë takimet bilaterale në Ohër


Josep Borrell, Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti

Kanë përfunduar takimet bilaterale në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i ka përfunduar takimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandër Vuçiç. Pas pak pritet të nis takimi trilateral Borrell-Kurti-Vuçiç.

Ora e konferencës nuk është bërë e ditur, meqë nuk është e ditur as kur do të përfundojë takimi trilateral.

Zakonisht, zgjatë me orë të tëra. Siç ndodhi herën e fundit në Bruksel, njëjtë parashikohet edhe kësaj here, meqë diskutimi do të jetë i gjatë dhe për shumë pika me supozimin të arrihet pajtim për Aneksin për Zbatim të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit të Raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, mbështetur në Propozimin Evropian

Ohri i Pajtimit – çfarë po ngjanë në qytetin maqedonaso-verior

Kurti para fillimit të takimeve të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, ka thënë se në Ohër ka ardhur për bisedime për të arritur marrëveshje.

Megjithatë ai ka bërë të ditur se nuk ka tekst të përfunduar për planin e zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar më 27 shkurt në Bruksel, prandaj do të ketë bisedime për këtë çështje.

“Do të kemi bisedime për planin e zbatimit sepse nuk ka tekst të përfunduar. Përderisa nuk ka tekst të përfunduar, nuk mund të ketë përfundim të bisedimeve, e përderisa nuk ka përfundim të bisedimeve nuk mund të ketë marrëveshje”.

“Unë jam këtu për dialog parimor, të hapur, serioz që duhet të rezultojë në marrëveshje, e marrëveshja nënkupton tekst përfundimtar dhe të dakorduar. Nuk kam ardhur për bisedime për bisedime, por për bisedime për marrëveshje”, ka shtuar ai.

“Gjithqysh” do ketë zhvillime pozitive, thotë Kurti në Ohër

Për takimin në fjalë është deklaruar edhe emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Esocbar, i cili po merr pjesë në takimet e Ohrit në cilësinë e vëzhguesit.

Pritja e ShBA-ve nga takimi i sotëm në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sipas emisarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është finalizimi i planit të zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kjo Marrëveshje për normalizim krijon marrëdhënie paqësore, miqësore dhe të parashikueshme mes Serbisë dhe Kosovës. Por, po ashtu, ua hap dyert të dyja vendeve për të ecur më shpejt drejt strukturave euro-atlantike”, ka thënë Escobar në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Ky takim sipas diplomatit amerikan është një mundësi për t’i lënë mbrapa ngjarjet e viteve të 90’ta, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për rajonin në tërësi.

Në këtë fazë ka theksuar Escobar më e rëndësishme është finalizimi i aneksit sesa fokusimi te nënshkrimi i Marrëveshjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore