Kosova

Lajçak pritet ta takojë Vuçiç-in, a do i hiqet licenca Elektroserverit?


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të takohet këtë të hëne me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Sipas mediave serbe, njëra nga temat do të jetë edhe çështja e kompanisë serbe Elektroserve e cila as pas 100 ditëve nuk po i respekton afatet e pajtuara me udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjes për energjinë.

Ndërkaq Lajçak theksoi të enjten në Prishtinë se ekziston rreziku i heqjes së licencës së Elektroseverit.

“Për energji jemi në proces të konsultimit, ka rrezik t’i tërhiqet licenca Elektroserverit, e ne nuk duam të ndodhë kjo. Për këtë ftuam në Bruksel gjithë aksionarët, ku kemi kaluar ditën duke diskutuar situatën. Ka qenë me rëndësi për mua t’i sjelli konkludimet e diskutimit te kryeministri e të bisedojmë rrugën para. Do të jem në Beograd të hënën me të njëjtin synim dhe agjendë. Dua të gjej zgjidhje”, ka thënë Lajçak.

Më 4 tetor, AP ka raportuar se kompania serbe Elektrosever as pas 100 ditëve nuk po i respekton afatet e pajtuara me udhërrëfyesin për implementimin e marrëveshjes për energjinë.

Për këtë, Zyra e Rregullatorit të Energjisë po e shqyrton mundësinë që t’ia tërheqë lincencën kompanisë që synon ta faturojë energjinë elektrike në komunat e Veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, thotë për Albanian Post se në marrëveshje është e specifikuar shumë qartë, “në rast se këto pika brenda 100 ditëve nuk plotësohen, do të duhet t’i tërhiqet licenca kompanisë”.

Nërsa zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka bërë të ditur në Komisionin për Integrime Evropiane se janë ankuar ne Bashkimin Evropian për dështimin e marrëveshjes për Elektroserverin.

“Për Elektroseveri i kemi dërguar Bashkimit Evropian letër që nuk e ka përmbushur afatin prej 100 ditësh, tash është edhe ajo koha shtesë dhe do të presim a do t’i hiqet licenca kësaj kompanie”.

Ai tutje presionin e Serbisë në Kosovë e ka quajtur si “të tmerrshëm”.

“Fatkeqësisht ka një presion të tmerrshëm prej Serbisë përmes strukturave të saj kriminele që i mban në Kosovë tek qytetarët serb, duke i frikësuar ata, duke i shantazhuar në mënyrë që të mos i konvertojnë veturat e tyre”.
“Društvo Elektrosever D.O.O.” – kompania serbe që pritej të futet në Kosovë

Bëhet fjalë për kompaninë “Društvo Elektrosever D.O.O.”.

“Društvo Elektrosever D.O.O.” tashmë e regjistruar në Agjencionin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. Pronare e vetme e kësaj kompanie është “JP Elektroprivreda Srbije Beograd”, kompania shtetërore e Energjisë Elektrike në Serbi.

Në faqen e vet zyrtare “Elektroprivreda Srbije” shkruan se është “një kompani e organizuar vertikalisht, e cila ka të drejta themeluese në dy filiale dhe tri ndërmarrje publike në Kosovë”. Me afër 29 mijë punëtorë “Elektroprivreda Srbije” është kompania më e madhe në Serbi, në të gjitha llojet e industrive.

Certifikata e kësaj kompanie e regjistruar në ARBK thotë se aktivitet primar kjo kompani ka “Tregtinë e energjisë elektrike” dhe vetëm si aktivitet sekondar është dhënë “riparimi i pajisjeve elektrike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore