Kosova

Hapja e urës së Ibrit, Lajçak: Mund të çojë në incidente nëse bëhet pa koordinim – nëse ka interes e vendos në agjendë të dialogut


“Hapja e pakoordinuar e urës së Ibrit mund të çojë në incidente dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit”.

Kështu ka thënë Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak edhe pse ka potencuar se është “pro hapjes së urës”.

Por, diplomati sllovak ka theksuar se çdo vendim në lidhje me urën duhet së pari të diskutohet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse palët janë të interesuara, me kënaqësi do ta vendos këtë çështje në agjendën e takimit të radhës të kryenegociatorëve”, tha Lajçak në një intervistë për mediumin serb në Kosovë, Kosov Online.

“Hapja e urës në Mitrovicë është objekt i dy marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga viti 2015 dhe 2016”, ka potencuar ai.

Lajçak: Gjykata Kushtetuese e ka fjalën e fundit për draft-statutin e Asociacionit – Qeveria s’mund t’i shmanget përgjithmonë

Në këtë intervistë, Lajçak, ka thënë se nuk ka asnjë arsyeje për të mos ecur përpara me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, meqë sipas tij, draft-statuti i propozuar nga BE-ja e respekton rendin juridik të Kosovës.

“Jam i bindur se draft-statuti evropian respekton plotësisht rendin juridik të Kosovës. Ne kemi pasur parasysh sa më shumë vijat e kuqe të të dyja palëve. Është një mënyrë evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të të drejtave dhe mbrojtjes së pakicave dhe pasqyron praktikat më të mira evropiane”, potencoi.

“Statuti do t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për shqyrtim, që do të thotë se fjalën e ka edhe gardiani i Kushtetutës së Kosovës. Kështu që unë ju pyes, çfarë mund të shkojë keq? Si mund të jetë Asociacioni i dëmshëm apo i rrezikshëm për Kosovën nëse fjalën e fundit për draft-statutin e ka Gjykata Kushtetuese?”, ka pyetur diplomati sllovak.

Ai është shprehur i bindur që Asociacioni do të themelohet, meqë sipas tij, Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjithmonë përmbushjes së këtij detyrimi i marrë nga Kosova në vitin 2013 dhe se kjo dakordancë është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë të votave.

“Edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh (mos)themelimin e Asociacionit si çështje të sundimit të ligjit dhe ka reaguar në përputhje me rrethanat e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

Për Lajçakun, pa neglizhuar obligimet tjera në kuadër të dialogut, çështja e Asociacionit është më e madhe se një obligim ‘i thjeshtë’ nga dialogu.

“Asociacioni pasqyron qasjen e qeverisë ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve jo-shumicë dhe sundimit të ligjit”.

Ndryshe, Lajçak do të takohet këtë të martë në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të palës kosovare në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi të martën në një komunikatë se takimi mes Bislimit e Lajçakut pritet të nisë në orën 18:00.

Megjithatë, nuk është bërë e ditur arsyeja e vizitës së paparalajmëruar të diplomatit sllovak në Prishtinë. Paraprakisht, ai takoi kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviç, në kuadër të një konference ndërkombëtare në Athinë të Greqisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore