Lajme

ATK-ja ka inkasuar mbi 355 milionë euro të hyra për gjashtë muaj, thotë Murtezaj


Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj, gjatë një konference për media bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, kanë prezantuar rezultatet e aktiviteteve të zhvilluara për periudhën janar-qershor 2022.

Sipas këtyre rezultateve të hyrat gjatë kësaj periudhe kanë qenë 355.5 milionë euro dhe rritje prej 26.5 milionë euro, apo 8.1 për qind.

Po ashtu, Murtezaj tha se faktorët që ndikuan në rritjen e të hyrave janë kryesisht fuqizimi i kontrollit të brendshëm dhe rritja e transparencës.

“Në rritje ka ndikuar fuqizimi i kontrollit të brendshëm, pra rritja e kontrollit dhe llogaridhënies, rritja e transparencës, kur kemi transparencë në shpenzimin e parasë publike, rritet besimi i bizneseve, ka transparencë edhe brenda institucionit, gjithashtu ka ndikuar edhe rritja e efikasitetit të borxheve tatimore dhe dixhitalizimi i shërbimeve”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, ka përgëzuar stafin e ATK-së si dhe qytetarët për këtë arritje.

Ai ka theksuar se rritja e suksesit të ATK-së dhe shtetit është parakusht që të ketë besim në këto institucione.

“Për të rritë suksesin e ATK-së dhe shtetit është parakusht që të ketë besim në institucione, sepse atëherë qytetari e sheh se kur paguan tatime dhe ato para nuk keqpërdoren ka besim më të lartë”, u shpreh ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore