Kosova

Hovenier pas djegieve të veturave në Veri: Vepra frikacake dhe kriminale


Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i është bashkuar reagimeve të ambasadorit të Bashkimit Evripian, Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë, duke e dënuar djegien e veturave në Veri të Kosovës.

Ai përmes një cicërime në rrjetin social në Twitter e rishpërndau një postim të nëntorit të vitit të kaluar, kur kishte raste të ngjashme.

“Fatkeqësisht, më duhet ta përsëris këtë mesazh”, shkroi Hovenier në ripostimin e tij.

Ndërsa, në nëntor të vitit të kaluar diplomati amerikan ishte shprehur se vendi që ai përfaqëson, dënojnë akte të tilla dhe çdo përpjekje për frikësim të qytetarëve që marrin targat RKS.

“SHBA-të dënojnë djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës”.

Ndërkaq, këto veprime ai i cilësoi si “vepra frikacake dhe kriminale”.

Ndërsa, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, pas djegieve të veturave me tabelat RKS në Veri të Kosovës, e ka konsideruar të papranueshëm këtë veprim dhe ka bërë thirrje për hetim të menjëhershëm.

“E papranueshme djegia e automjeteve pas ri-regjistrimit në targat RKS në veri të Kosovës. Të gjithë aktorët seriozë politikë duhet të dënojnë këto akte dhune dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin dhe qetësinë”, shkroi Abbott në Facebook.

Ndërkaq, diplomati britanik theksoi se “hetimet e shpejta për këtë kriminalitet janë të domosdoshme dhe duhet të zhvillohen ndjeshëm dhe seriozisht”.

Ndryshe, Pas shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, edhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde ka reaguar pas djegieve të veturave me tabelat RKS në Veri të Kosovës.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Rhode është shprehur se dhuna nuk është asnjëherë opsion.

“Pajtohem plotësisht me deklaratën e Szunyogut. Dhuna nuk është kurrë opsion! Kam besim të plotë se autoritetet e Kosovës do t’i hetojnë rastet thellësisht dhe do t’i sjellin përgjegjësit para drejtësisë”, ka shkruar ai në Twitter.

Më 30 mars, në Zubin Potok u dogjën dy vetura me targa RKS.

Pronarët e të cilëve kishin thënë se i kanë regjistruar një javë më parë dhe dhe se në kohën e djegien ishin të parkuara poshtë shtëpive ku jetonin.

Ndërsa, më 31 mars janë djegur edhe tri vetura të tjera të qytetarëve të nacionalitetit të cilat po ashtu kishin targat me riregjistrimin RKS.

Raste të ngjashme kishte pasur edhe gjatë muajit nëntor dhe dhjetor të 2022.

Për të gjitha rastet nga policia ishte thënë se kishin ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kishin njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes.

Në fund të 2022, në veriun e Kosovës u rritën tensionet për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës që të gjitha makinat me targa ilegale të lëshuara nga Serbia t’i konvertonin ato në targa RKS.

Në shenjë pakënaqësie me këtë vendim, por edhe për shkak të arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, serbët lokalë ngritën barrikada në veri.

Barrikadat u hoqën disa ditë më vonë pasi ish-policit Dejan Pantiç iu ndryshua masa e sigurisë, nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u pajtuan për çështjen e targave.

Kosova hoqi dorë nga veprimet që parashihte vendimi për riregjistrimin e targave, ndërkaq Serbia u pajtua se nuk do të lëshonte më targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.

Nga institucionet e Kosovës akoma nuk është bërë e ditur se sa makina janë regjistruar me targat RKS.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjithnjë e më shumë qytetarët nga veriu janë duke u pajisur me targa RKS.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore