Kosova

Hovenier: Dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë, diçka më pak s’e përmbush vizionin që kemi për Evropën


Jeffrey Hovenier

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duhet që të përfundojë me njohje të ndërsjellë

Këto komente, Hovenier i ka bërë të martën, në kuadër të samitit “Ballkani Perëndimor 2024: Çlirimi i potencialit të rajonit”, që është duke u mbajtur në Prishtinë, ku ka theksuar se diçka më pak se kjo s’do e përmbushte vizionin evropian.

“Kosova duhet që së bashku me Serbinë të shtyjnë agjendën e tyre. Po, ka një varg zyrtarësh amerikanë, përfshirë edhe mu që kalojmë shumë kohë për nevojën për zbatimin e plotë nga Kosova dhe Serbia të obligimeve të cilat i kanë marrë përmes procesit të lehtësuar nga BE-ja”, tha Hovenier.

“Përfundimi i këtij procesi duhet që të jetë njohja e ndërsjellë mes dy vendeve, sepse diçka më pak se kjo nuk e përmbush vizion që e kemi për një Evropë të lirë, të plotë, të begatë dhe në paqe, sidomos duke marrë parasysh paqëndrueshmërinë e mundshme që mund të pasojë”, shtoi.

Diplomati amerikan foli përsëri edhe për të ashtuquajturin “Kuvendi Gjithëserb”, që u mbajt të shtunën nga Serbia dhe Republika Srpska – entiteti serb në Bosnje e Hercegovinë – ku edhe miratuan një deklaratë, ku, ndër të tjera, propaganduan se “Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë”.

Por, Hovenier ishte i qartë se kjo deklaratë nuk është qëndrim i shtetit që ai përfaqëson, por as i partnerëve, derisa shprehi shqetësimin e tij për këtë.

“Kosovën e kemi njohur si vend të pavarur sovranë, demokratik dhe kjo s’është për debat, as që nuk do të rinegociohet, duhet të pranohet, duhet të kremtohet”, deklaroi.

Në vlerësimin e tij, Kosova “duhet të jetë pjesë e suksesit të rajonit, bashkërisht”.

Ndërkaq, Hovenier potencoi se prioritet numër një i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor “është i bazuar në përpjekjet tona për të mbështetur integrimin evropian”.

“Sepse ne synojmë të mbështesim dhe të përfshijmë vendet e Ballkanit Perëndimor plotësisht në strukturat evropiane, sepse e ardhmja e rajonit është në BE dhe pjesë e komunitetit transatlantik, veçanërisht NATO-s”.

Ai theksoi se i vjen mirë që vendet e rajonit “po marrin hapa të zorshëm drejt anëtarësimit në BE, sepse besojmë që çdo vend që hynë në BE është më stabil, më demokratik e më i përparuar”.

Jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor për t’i mbështetur ato, sepse mendojmë se ky është një moment kyç për rajonin”, pohoi.

Në prizmin e tij, stabiliteti, siguria e prosperiteti rajonal kërkojnë integrim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore