Lajme

Hoti: Zhvillimet në prokurimin publik shqetësuese – kontratat njëburimore i kushtojnë shtetit


Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është shprehur i shqetësuar në lidhje me prokurimin publik gjatë qeverisë Kurti II.

Sipas Hotit, gjatë vitit 2022 janë nënshkruar kontrata njëburimore në vlerë mbi 70 milionë euro që i bie mbi 26 milionë euro më shumë se vitin 2021.

“Gjatë vitit 2022, janë nënshkruar kontrata një burimore në vlerë 78.6 mil euro, një rritje prej 26.6 mil euro krahasuar me vitin paraprak, apo 51% më shumë. KEK-u është prijës në këtë drejtim: nga 44 mil euro vlerë të kontratave të nënshkruara nga KEK-u gjatë vitit 2022, 38% apo 16.8 mil i ka bërë me kontrata njëburimore”, ka shkruar Hoti në rrjetin social ‘Facebook’. 

Teksa ka sqaruar se gjatë vitit 2021 kishin konkurruar “mesatarisht 4.0 operatorë ekonomikë për cdo tender” në krahasim me vitin 2022 “ku kanë konkurruar 4.08”.

Ish-kryeministri i Kosovës, ka vlerësuar që sa herë që lidhen kontrata njëburimore më shumë, buxheti i shtetit ka më shumë shpenzime.

“Kur lidhen më shumë kontrata njëburimore, atëherë buxhetit të shtetit i kushtojnë më shtrenjtë punët apo shërbimet që i prokuron dhe konkurrenca është e padrejtë”.

“Kur ka më pak konkurrues për çdo tender të hapur, atëherë kjo nënkupton se kompanitë private nuk besojnë se kontratat jepen sipas kritereve ligjore, sipas çmimit më të ulët dhe cilësisë më të lartë. Duket qartë se kompanitë besojnë se janë lidhjet dhe favorizimet që përcaktojnë se kujt i jepet tenderi”, ka thënë ai.

Hoti, ka sqaruar se të dhënat që ka paraqitur janë nga raporti i organizatës “Democarcy Plus”, të cilën e falënderoi “për analizën e thjeshtë dhe të qartë”.

“Mirë do ishte të kishim një analizë të kontratave njëburimore për secilën organizatë buxhetore dhe listën e projekteve për këto kontrata, në mënyrë që të konstatohet se cilat janë arsyet që është dashur të lidhen kontrata njëburimore”.

Më 24 janar, prokurori i Shtetit kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit, “Keqpërdorim të pozitës zyrtare  dhe mashtrim në prokurim publik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore