Kosova

Hoti, Qeverisë: Ku janë shpenzuar 8.63 miliardë euro?


Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka shprehur shqetësimin e tij për “mungesën e transparencës” në shpenzimet e Qeverisë, duke pyetur se “ku janë shpenzuar 8.63 miliardë euro gjatë tre viteve të fundit”.

Ai e ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e buxheteve vjetore të tri vjetëve të fundit.

“3 vite mandat dhe 3 buxhete vjetore të menaxhuara. 8.63 miliardë euro vlera e tri buxheteve (2021=2.51 miliardë, 2022=2.90 miliardë, 2023=3.22 miliardë)”, ka shkruar Hoti.

Sipas tij, asnjë investim s’është bërë në mënyrë që të arsyetohet shpenzimi i këtij buxheti.

“As shenjë nuk shihet se ku janë harxhuar gjithë këto mjete. Nuk ka ndonjë autostradë të re, urë të re, tunel të ri, çerdhe, shkolla apo spitale të reja”.

“Pagat nuk janë rritur. As policët nuk i kanë marrë shtesat e rrezikshmërisë nga shkurti i këtij viti”.

Edhe më 19 qershor, Hoti kishte komentuar situatën ekonomike në vend, duke cilësuar qasjen e Qeverisë së Kosovës në këtë fushë si të dobët.

Shpenzimet për çështje ekonomike gjatë vitit 2022, sipas Hotit, kishin rënë dukshëm krahasuar me vitin 2019, që është viti para pandemisë.

“Kjo e fakton argumentin se ekonomisë së Kosovës i mungojnë rreth 500 milionë euro investime kapitale, të cilat kanë prodhuar efekte multiplikuese negative në të ardhura dhe rritje ekonomike”.

Kjo, sipas ish-kryeministrit të Kosovës, dëshmon, që rritja ekonomike, matur në periudha tremujore, ka qenë me trend rënës nga tremujori i dytë i vitit 2021, që është koha kur Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, ka nisur punën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore