Lajme

Hoti: Qeveria e ka kthyer Serbinë si partner kryesor tregtar të Kosovës


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e ka akuzuar Qeverinë se e ka kthyer Serbinë si partner e kryesor tregtar të Kosovës.

Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’  periudhën e janarit dhe tetorit të 2022, e ka krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

“Importet rriten me 850 milionë euro dhe Serbia kthehet si partner kryesor tregtar i Kosovës në rajon. Për shkak se eksportet për këtë periudhë janë rritur vetëm me 154 milionë euro, deficiti tregtar është thelluar dhe ka arritur në -3.9 miliardë euro”.

“Thellimi i deficitit tregtar e vë në dyshim rritjen ekonomike, të prodhimit vendor dhe të punësimit në Kosovë, siç po propagandohet nëpër konferenca ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.

Tutje ai ka thënë nëse analizohet tregtia me vendet e Ballkanit Perëndimor, shihet se importet me të gjitha këto vende janë ulur pa përjashtim. përveç me Serbinë.

“Dikush mund të thotë se tregtia është e lirë dhe ajo i përcakton importet dhe eksportet. Dakord jam me këtë. Por tregtia e lirë ka ekzistuar edhe në vitet kur këta që sot qeverisin i rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia”, ka thënë ai.

Ilustrim.

Ndryshe, të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, për periudhën janar-gusht 2022 sasia e eksporteve shqiptare në Kosovë shënoi rënie me 40 për qind, gjithashtu edhe importet nga Kosova ishin me rënie 12 për qind.

Gjatë tetë mujorit, tregojnë të dhënat zyrtare të INSTAT, u eksportuan në Kosovë 448 mijë tonë mallra, nga 748 mijë tonë ne të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ose 40 për qind më pak.

E për ish-ministrin e Financave, Haki Shatri, një dukuri e tillë nuk do koment, pasi gjithçka është shumë e qartë – “Qeveria e Kosovës e ka bërë Serbinë partnere kryesore edhe para Shqipërisë në marrëdhëniet ekonomike të jashtme”.

“Lëvizja Vetëvendosje bojkotimin e mallrave nga Serbia e ka pasur vetëm si slogan sa për ta fituar pushtetin. Përkundër që dy vjet eksporti i Kosovës ka një dinamik të rritjes në raport me importin, megjithëse importi në shifra të përgjithshme është shumë më i madh, çudia më e madhe është se me Serbinë është rritur importi e ndërsa eksporti nuk është rritur proporcionalisht”, kishte thënë Shatri për Albanian Post.

Albin Kurti, pasi u emërua kryeministër për herë të parë, mori vendim për heqjen e taksës 100 për qind që e kishte vendosur Ramush Haradinaj për produktet serbe.

Madje sipas tij vendosja e reciprocitetit ishte çështje ditësh e javësh, por kurrsesi muajsh.

Megjithatë që nga ajo kohë kanë kaluar më shumë se një vit dhe Kosova nuk e ka vendosur reciprocitetin ndaj Serbisë e si rrjedhojë importi me Serbinë është rritur ndjeshëm muajt e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore