Kosova

Hoti: Politikat ekonomike të Qeverisë Kurti po e shpijnë Kosovën në izolim ekonomik e politik


Avdullah Hoti

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se politikat ekonomike të qeverisë së Albin Kurti për këto katër vite, po e shpijnë Kosovën në izolim ekonomik.

Këto komente, Hoti i ka bërë përmes një postimi në Facebook, pasi që ka folur për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve në Kosovë për vitin 2024.

“Fatkeqësisht, politikat ekonomike në këto katër vite të qeverisjes po e shpijnë Kosovën në izolim ekonomik e politik, në krijimin e një lloj varësie sociale, pa insentiva për biznes e inovacion, ku promovohen skemat sociale si shpëtim për familjet në nevojë e jo punësimi dhe zhvillimi i sektorit privat”, shkroi Hoti.

Sipas tij, raporti i DASH-it i publikuar këto ditë ofron një përmbledhje objektive dhe të paanshme të klimës së investimeve në Kosovë më 2024.

Sigurisht se Kosova ka sfida afatgjate në fushën e ekonomisë, pohon deputeti, “të lidhura me zhvillimet politike që marrin kohë për tu adresuar”, por shton se ajo që është shqetësuese është “mungesa totale e reformave ekonomike në këto vite, duke rezultuar me përkeqësim të ambientit biznes dhe investime”.

“Nisur nga kapacitet e kufizuara të Kosovës për financim të investimeve në shkallë të gjerë e në teknologji moderne, investimet e jashtme janë thelbësore për të siguruar rritje më të lartë ekonomike dhe për të sjellë teknologjinë më të re”, vlerëson ai.

Ish-kryeministri ka renditur disa nga të gjeturat problematike të raportit të DASH-it sa i përket klimës së investimeve në Kosovë.

“Politikat kryeneçe të Qeverisë në fushën e ekonomisë, ndërhyrjet politike në ekonomi, dhe dialogu i kufizuar publiko-privat përbëjnë sfidë për investitorët; Rregulloret e ndryshme qeveritare miratohen pa debat domethënës me ata të cilët preken nga ato rregullore;”.

“Komunikimi i sektorit privat me qeverinë është i pamjaftueshëm; Rritja ekonomike dhe produktiviteti kufizohen nga ekonomia informale, sidomos në sektorët si ndërtimtaria, bujqësia e tregtia me pakicë; Fuqia punëtore e re e Kosovës mbetet e pashfrytëzuar për shkak të mospërputhjes me atësive që ka fuqia punëtore dhe aftësive të kërkuara nga punëdhënësit;”.

“Agjencia për Regjistrim të Bizneseve e suspendoi për një kohë licencën e transmetuesit më të madh media në Kosovë; Lëndët komerciale në gjykatë marrin nga 6 muaj deri në disa vite për tu zgjidhur. Regjistrimi i markës tregtare merr 9 muaj kohë; Miratimi i licencës merr 18 muaj kohë;”.

“Aktiviteti bankar është i kufizuar nga kushtet e rënduara ekonomike, fuqizimi i dobët i kontratave etj.; Kosova vazhdon të prodhojë 95% të energjisë me thëngjill përmes termocentraleve të ndërtuara në vitet 1960 dhe 1980; Më 31 dhjetor 2020, Kosova e ka nënshkruar Marrëveshjen për Insentiva për Investime, e cila ka hyrë në fuqi më 3 shkurt 2021 (në qeverinë paraprake), e cila e ka bërë Kosovën vendin e parë në Ballkanin Perëndimor që nënshkruan një marrëveshje të tillë”.

Në prizmin e ish-kryeministrit është e kuptueshme se disa nga këto sfida nuk mund të zgjidhen brenda një mandati qeverisë, por problemi është se “as nuk janë bërë përpjekje për tu zgjidhur. Përkundrazi, situata është përkeqësuar”.

“Problematike në fushën e ekonomisë nga këndvështrimi i investitorëve është mungesa e parashikueshmërisë në politika ekonomike”, potencon ai, duke shtruar se “me këtë qeveri asgjë nuk është e sigurt”.

“Brenda natës mund të ndodhin ndryshime në kursin e veprimeve. Mund të zgjohemi në mëngjes dhe të kuptojmë se dikujt iu ka suspenduar licenca, dikujt tjetër i është shqiptuar dënim nga autoritetet tatimore, dikujt iu ka sekuestruar pasuria etj”.

Edhe kur shteti ka të drejtë në veprimet që ndërmerr, Hoti mendon se e rëndësishme është zbatimi me shumë kujdes i burokracisë ligjore për ndërmarrjen e veprimeve dhe sigurimi i transparencës së plotë.

“Është e qartë se qeverisja ekzistuese nuk e ka këtë qëllim”, beson.

Në veprimet e veta kjo qeverisje, në vlerësimin e tij, motivohet “nga qëllimet politike të ndjekjes së atyre që i quan oligarkë, të cilët fillimisht i ka shpallur armiq të shtetit e të popullit”.

Ndryshe, njohësit e çështjeve ekonomike, por edhe akterët opozitarë vazhdimisht e kanë kritikuar qeverinë e drejtuar nga Albin Kurti sa i përket politikave ekonomike, posaçërisht tek mungesa e investimeve kapitale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore