Lajme

Hoti përmend skandalet e Qeverisë: U kthyen “bommerang” ndaj Kosovës


Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës ka renditur lajmet të cilat i ka quajtur “të këqija” e të cilat konsideron se janë prodhuar nga vetë Qeveria Kurti.

Ai fillimisht ka thënë se asnjëherë që nga pas lufta nuk janë prodhuar kaq shumë skandale të njëpasnjëshme.

“Besoj që kurrë asnjëherë në 23 vjet të qeverisjes nuk janë prodhuar kaq shumë lajme të këqija për vendin nga shumica prej tyre drejtpërdrejt nga qeveria ose të menaxhuar nga qeveria që iu janë kthyer ‘bommerang’ shtetit të Kosovës”.

Ish kryeministri, ka përmendur trazirat në komunat veriore, për të cilat ka thënë se Kosova është munduar që të sundoj ligjin në atë pjesë, por që nuk ka pasur menaxhim të duhur.

“Trazirat në Veri, ne mund të pajtohemi që nuk kanë qenë të provokuara nga Kosova, por mënyra se si janë menaxhuar kanë dërguar në situatë ku tash sekretari i përgjithshëm i NATO-s i thotë presidentes së vendit që duhet të koordinohet edhe dërgimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës, në atë pjesë dhe ky është degradim i madh”.

“Përleshjet në Kuvend, kanë zënë vend në mediat ndërkombëtare”, ka thënë Hoti.

Ndërsa, ka përmendur edhe rastin e mediumit “Klan Kosova”, ku sipas tij pushteti ka pasur për qëllim mbylljen e këtij mediumi.

“Mbyllja e mediave, tendenca e pushtetit për të mbyllur mediat edhe në rastin më të keq nuk janë tentuar të mbyllen mediat”.

E po ashtu, edhe sanksionet të cilat janë vendosur nga Bashkimi Evropian e që e kanë pezulluar Kosovën në shumë çështje të rëndësishme për avancimin e shtetit në sektorë të ndryshëm.

“E katërta sanksionet nga Bashkimi Evropian, imagjinoni e kemi kthyer në normalitet këtë sikur është një çështje krejt e zakonshme politike në vend. Jemi vendi i parë nga viti 1999, që Bashkimi Evropian vendos sanksione”.

“Ne mund të flasim sa të doni se kush është fajtor, por situatë është kështu. E pesta, është miratimi i ligjeve antikushtetuese që duket si një tendencë për të ndërruar rendin kushtetuese”.

Në normalitet ka theksuar ai se nuk është dashur të kthehet as rasti i ambasadorit Martin Berishaj, ministres Rozeta Hajdari, e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“E kemi bë normale ambasadorin Martin Berishaj, që akoma e mbajmë në detyrë, ministrja nuk jep dorëheqje pavarësisht problemeve me rezerva shteterore, kryeshefi i KEK-ut është në paraburgim dhe ai vazhdon të mos shkarkohet dhe të marrë 50 për qind të pagës”.

Hoti, përmendi edhe komunat dhe “tendencën e pushtetit për t’i marrë atyre të hyrat vetanake”.

Kjo seancë është thirrur me kërkesë të deputetëve të opozitës dhe javën e shkuar ka dështuar të mbahet në mungesë të kuorumit, pasi që deputetët e pushtetit nuk kanë marr pjesë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore