Lajme

Hoti: Në pesë lokacione po kërkojmë për varreza masive


Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.

Të enjten, është mbajtur takimi i deputetëve të komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti ka deklaruar se ka filluar puna në pesë lokacione për varreza e që nuk janë të vetmet.

“5 lokacionet qe i kemi gjetur deri më tani nuk janë të vetme. Kemi kërkuar nga pala serbe që të kemi qasje edhe ne lokacione tjera. Një nga sfidat kryesore është mungesa e informacionit të verifikuar, ne jemi dëshmitarë që ka pasur informacione të rrejshme nga ana e Serbisë. Një nga sfidat qe e kemi adresuar edhe para dy jave në Bruksel është qasja në arkivat shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe. Arkivat e Serbisë ndihmojnë shumë në zbardhjen e fatit të te zhdukurve por nuk janë rruga e vetme”.

Ai ka shtuar se si komision por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë janë duke punuar në ndryshimin e Ligjit për të pagjeturit.

“Kemi kërkuar që të ndryshohet emri i Ligjit në ligj për të zhdukurit me forcë sepse ata janë kidnapuar. Ka disa vjet që databaza nuk ka funksionuar dhe kemi arritur ta funksionalizojmë, ku ne dhe familjarët kanë qasje në të dhëna. Kemi filluar të punojmë në disa lokacione brenda Kosovës. Për hir të mos shqetësimit të familjarëve ne nuk i kemi bërë publike se cilat janë lokacionet, janë pesë të tilla në Kosovë”, ka thënë ai.

Komisioni parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës.

Hoti është shprehur se ka kërkuar disa herë që të rritet presioni ndaj Serbisë që këtë çështje mos ta trajtojë në mënyrë politike, por humane.

“Kemi kërkuar nga Lajçaku garanci që kjo çështje të ketë një afat kohor për zgjidhje. Ne parim jemi pajtuar për këtë por nuk kemi marrëveshje, kjo çështje nuk mund të zgjasë në pafundësi”.

Ndërsa, deputetja Dude Balje gjatë takimit ka pyetur se ku është dobësia e Kosovës  në çështjen e të pagjeturve.

“Qysh mund të bëjmë presion ndaj Serbisë. Cila është adresa juaj”, ka pyetur ajo.

Hoti ka thënë se një prej mungesave është stafi, për të cilin veç kanë kërkuar ngritje të kapaciteteve, edhe nga ambasadat që i mbështesim.

“Fatkeqësia jonë është që kemi të bëjmë me një shtet siç është Serbia. Ku ne mund të bëjmë presion është BE-ja, shtetet tona partnere dhe ato të bëjnë presion ndaj Serbisë. Serbia ka thënë se i ka dhënë Kosovës 2 mijë dokumente por pyetja është e thjeshtë: ku është prindi im dhe mbi 1600 persona tjerë. Pra ata mund të na japin dokumente por ato nuk kanë vlerë”.

Ekipi nga Kosova gjatë gërmimeve në Rashkë të Serbisë për varreza masive.

Më 30 shtator, mbetjet mortore të shtatë shqiptarëve të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë u kthyen nga Serbia.

Mbetjet u kthyen përmes pikës kufitare të Merdares, ndërsa viktimat ishin vrarë në fshatin Rezallë të Komunës së Skenderajt, më 1999.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 6 mijë e 500 persona kanë qenë të zhdukur.

Që nga ajo kohë janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur vazhdojnë të jenë edhe rreth 1 mijë e 600 persona, kryesisht shqiptarë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore