Kosova

Hoti i ankohet Borrell-it: Serbia s’po i zbaton obligimet e saja nga Deklarata për Personat e Zhdukur   


Ilustrim

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i udhëhequr nga Andin Hoti, të premten, ka njoftuar se i ka dërguar Shefit të Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, një letër ku shtjellohet jo-gatishmëria shtetit të Serbisë për të bashkëpunuar me Kosovën sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur e miratuar më 2 maj të këtij viti në kuadër të takimit të nivelit të lartë dialogut në Bruksel.

Me miratimin Deklaratës për Personat e Zhdukur, ku përfshihen personat e zhdukur me forcë, sipas Komisionit Qeveritar, Serbia ka marrë angazhime, të cilat nuk po i zbaton.

“Në përputhje me angazhimet e Serbisë sipas Deklaratës, më 1 qershor 2023 i dërgova kërkesën e parë zyrtare Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për akses të plotë në arkiv, duke përfshirë, por pa u kufizuar në dosjet e klasifikuara, të prodhuara në Komandën e Shpërbërë të 371-të të Brigadës së Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave”, thuhet në letrën e dërguar Borrell-it.

Dhënia e aksesit të plotë në këtë material, sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, do të shërbente për të zbuluar rrethanat e vrasjeve dhe transferimin e eshtrave të shqiptarëve të Kosovës të zhdukur me forcë dhe do të kontribuonte drejtpërdrejtë në zgjidhjen e fatit të të zhdukurve në rajonin e Drenisë.

“Edhe pse kanë kaluar katër muaj nga miratimi i Deklaratës dhe tre muaj nga dërgimi i letrës së lartpërmendur, Vuciç, ende nuk ka asnjë përgjigje nga Serbia”, njofton letra.

Mungesa e bashkëpunimit të Serbisë në përmbushjen e zotimeve, thuhet në letrën e dërguar top-diplomatit spanjoll, rrezikon përpjekjet të përbashkëta në arritjen e progresit të prekshëm në zgjidhjen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur me forcë, përmbushjen e detyrimeve dhe zbutjen e vuajtjeve të tmerrshme të familjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore