Kosova

Hoti e cilëson “propagandë të marrë komuniste” krahasimin e Kurtit rreth rritjes ekonomike për periudhën 2000-2023


Avdullah Hoti

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të enjten, reagoi pas krahasimit të rritjes ekonomike midis vitit 2023 dhe vitit 2000, ashtu sikurse sugjeroi kryeministri kosovar, Albin Kurti, i cili pretendoi në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës se pas 25 vjetëve, ekonomia në Kosovë është rritur për pesë herë e gjysmë.

“Në vitin 2000, gjysma e shtëpive ishin të djegura. Kafshët shtëpiake dhe mjetet bujqësore ishin të vjedhura e të shkatërruara. Infrastruktura shkollore, shëndetësore e rrugore ishte shkatërruar gati plotësisht nga lufta e nga mungesa e investimeve mbi 10 vjet. Shumica e bizneseve ishin plaçkitur e duhet të nisnin nga e para”, kujtoi ai, derisa e cilësoi propagandë komuniste.

“Kjo sjellje e kreut të qeverisë është propagandë e marrë, sikur ajo e komunistëve, të cilët mashtronin qytetarët me ‘arritjet e planeve 5-vjeçare’, në ndërkohë që qytetarët varfëroheshin. Unë i propozoj atij ta bëj krahasimin me vitin 1998-99. Sigurisht se rritja i del të jetë jo 5 herë, por 10 herë më e madhe!”, shtoi ndër të tjera ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së.

Ndryshe, kreu i ekzekutivit kosovar, pretendoi se pas më pak se 25 vjetëve, ekonomia në Kosovë është rritur për pesë herë e gjysmë, ndërsa krahas kësaj, shefi i qeverisë shtoi se krahasuar me vitin 2008 kur u shpall Pavarësia e Kosovës, sivjet, bruto produkti vendor është tre herë më i madh.

Kosova megjithatë vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Në opozitë e akuzojnë pushtetin ekzekutiv për politika të gabuara ekonomike, ndërsa gjithashtu vlerësojnë se dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, janë duke ia kthyer shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore për shkak të keqqeverisjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore