Lajme

Hong Kong-u kthen në të detyrueshëm testimin COVID për të gjithë banorët


Të gjithë banorët e Hong Kong-ut do të duhet t’i nënshtrohen testimit të detyrueshëm nga muaji i ardhshëm.

E përditshmja “Financial Times” tregon se masat e fundit janë raportuar pasi ekspertët paralajmëruan se më shumë se një e treta e banorëve do të jenë në izolim.

Dhe se, më shumë se gjysma prej tyre, do të jenë të infektuar me COVID-19 deri në prill, nëse nuk forcohen politikat e kontrollit.

Sakaq, qeveria është urdhëruar nga presidenti kinez, Xi Jinping, që t’i përmbahet politikës “zero-COVID” të Pekin-it.

Ajo kërkon që autoritetet lokale të izolojnë pacientët e infektuar edhe nëse kanë vetëm simptoma të lehta, si dhe të kontakteve të ngushta.

“Paçka se çfarë pikëpamjesh të ndryshme politike keni, në betejën mes njerëzve dhe virusit gjëja më e rëndësishme janë jetët njerëzore”, ka thënë Zhong Nanshan, një nga këshilltarët kryesorë mjekësorë të Kinës.

Mirëpo, ekspertët shëndetësorë kanë paralajmëruar se spitalet dhe objektet e karantinës së qytetit së shpejti do të mbingarkohen.

Kjo pasi rastet e reja ditore pritet të arrijnë kulmin në thuajse 183 mijë në mars dhe infeksionet totale kumulative mund ta arrijnë në prill në 4.5 milionë në qytetin me 7.4 milionë banorë.

Njëherazi, numri i njerëzve në izolim mund të arrijë në 2.5 milionë, duke përfshirë 625 mijë individë të infektuar dhe 1.9 milionë kontakte të ngushta.

Kurse vdekjet totale mund të arrijnë në 3 mijë e 200 deri në mes të majit, nga 350 që kanë vdekur që kur virusi u shfaq për herë të parë në Wuhan në fillim të vitit 2020.

Hong Kong-u ka regjistruar relativisht pak infeksione ose vdekje për pjesën më të madhe të pandemisë. Por territori po goditet nga varianti Omicron, duke regjistruar më shumë se 53 mijë infeksione të reja që nga janari.

Prandaj dhe autoritetet kanë vendosur kufizimet më të ashpra që nga fillimi i pandemisë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për kompanitë globale operimin në qendrën financiare.

Nga ana tjetër, mijëra banorë janë larguar nga vendi gjatë muajit të kaluar për t’i shpëtuar valës së fundit të infektimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore