Muzikë

Hiti më i madh i të gjitha kohërave


Industria muzikore ka ndryshuar rrënjësisht me kohën, teksa fillimisht në çdo dekadë, e më pas edhe më shpesh, trendët dhe rrymat rikrijonin vijimësi të reja melodike në mendjet dhe zemrat e dëgjuesve.

Prej vitit 2008, revista muzikore prestigjoze Billboard, e cila nxjerr edhe renditjet më të madhe të këngëve në botë, radhiti hitin dekadent “The Twist”, si më të madhin të të gjitha kohërave.

U deshën 13 vjet, për të rrëzuar mitin legjendar të “twistit” dhe për t’i lënë vendin një epoke të re muzikore.

“Blinding Lights”, nga artisti kanadez The Weeknd, është zyrtarisht hiti më i madh i të gjitha kohërave sipas Billboard.

Artisti kanadez The Weeknd

Kënga e publikuar në nëntor 2019 nga muzikanti me famë botërore, nuk pati një nisje të vrullshme në renditjen amerikane të këngëve.

U desh të vinte marsi i vitit pandemik 2020 dhe publikimi i gjithë albumit, “After Hours”, për ta kthyer Blinding Lights në një sensacion të menjëhershëm muzikor, i cili kaploi dëgjuesit anembanë botës dhe nuk është shkëputur as sot e kësaj dite nga renditja e madhe e 100 këngëve më të mira në botë.

Me çmime të shumta, dëgjime të stërmëdha në platformat e dëgjimit të muzikës dhe me një sukses të jashtëzakonshëm radiofonik, The Weeknd me zërin dhe melodinë e tij në linjën e viteve 80’ por në sintoninë e shfrenimit të mijëvjeçarit post modern, ishte i kudondodhur kurdoherë.

Artisti kanadez, The Weeknd

Katër javët në vendin e parë të renditjes, nuk janë në vetvete shumë mbresëlënëse. Por, ai ka shpenzuar 43 javë në top 5 këngët më të mira në Billboard Hot 100 – rekord i padiskutueshëm. 86 javë i ka kaluar në top 40 dhe 90 të tilla, në top 100. Kaq javë, janë thuajse dy vjet të plota në majat e muzikës botërore – diçka tërësisht e pazakontë për muzikën e sotme me prodhimet e panumërta ditore.

I frymëzuar nga videoloja GTA Vice City, The Weeknd pati deklaruar në fillim të nxjerrjes së albumit, se ajo i kishte hapur sytë për potencialin e tingujve të viteve 80’.

Kopertina e revistës Billboard

Ndërsa që prej daljes së Blinding Lights, e gjithë skena muzikore u orientua drejt vizualeve dhe tingujve të viteve “disko” me pamje të shthurura.

Kritikët, shpesh, nuk dinë nga t’ia nisin për të folur mbi The Weeknd dhe revolucionin e tij muzikor.

Por, Billboard, fjalën e saj e ka thënë dhe qartë.

Blinding Lights, është zyrtarisht hiti më i madh i të gjitha kohërave për ta!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore