Lajme

Hill: Puna e parë është themelimi i Asociacionit, pastaj vijnë të tjerat


Christopher Hill

Formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, është elementi thelbësor për të ecur përpara në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Sipas diplomatit veteran Hill, tashmë të gjithë si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga SHBA-të kanë bërë shumë të qartë se Asociacioni është një detyrim që rrjedh nga Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013.

“Nëse lexoni me kujdes Marrëveshjen e Brukselit, gjashtë pikat e para kanë të bëjnë me formimin e Asociacionit dhe ky është një element thelbësor për të ecur përpara. Dhe kjo duhet trajtuar në radhë të parë pasi ka të bëjë me një marrëveshje që tashmë është nënshkruar”, ka thënë Hill.

Ndër të tjera Hill, ka nënvizuar faktin se Asociacioni nuk është një çështje që mund të zgjidhet sot apo nesër, por mbi të gjitha është një prioritet.

“Unë dua të jem i qartë, e para e punës dhe ajo që duhet bërë që në fillim është të implementohet marrëveshja e arritur tashmë”.

SHBA-të dhe BE-ja kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, kishte thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.

Sipas Escobar këta partnerë mund të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Ndërsa në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, Escobar kishte thënë se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.

Ai madje kishte bërë të qartë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka nevojë që të pajtohet fare, sepse tashmë ata kanë pajtimin e Kosovës për këtë çështje.

“Një person dhe një palë s’mund të tërhiqet nga obligimi”, kishte thënë Escobar si rikujtim se Kosova për themelimin e Asociacionit ka marrë obligimin qysh në vitin 2013 kur nënshkroi marrëveshje në Bruksel.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore