Kosova

Hill kritikon Kosovën, e lavdëron Serbinë: Prishtina po devijon nga dialogu


Christopher Hill

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, së fundmi ka kritikuar Kosovën për situatën e krijuar në Veri të vendit dhe ka lavdëruar Serbinë për gatishmërinë e saj në raport me procesin e dialogut.

Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, RTS, diplomati amerikan ka potencuar se lëvizjet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në Veri duhet të trajtohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Thënë këtë, Hill ka potencuar se SHBA-të “janë të pakënaqur kur dikush devijon nga dialogu ose ndërmerr hapa të njëanshme”.

“Ata që devijojnë nga dialogu rrezikojnë të devijojnë nga politika jonë. Ajo që mund të them është se Serbia ka punuar shumë për këtë. Serbia ka bërë mirë duke iu përmbajtur dialogut dhe unë vërtet do ta inkurajoja Serbinë që të vazhdojë me një gjë të tillë”, ka thënë Hill.

Hill ndër të tjera ka vlerësuar me nota më të larta raportet ndërmjet SHBA-ve dhe Serbisë duke thënë se të dyja vendet “kanë shumë interesa të përbashkëta”.

“Në fakt, mendoj se ne kemi një lloj interesi të përbashkët strategjik për sa i përket vendit ku duam të shkojmë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore