Kosova

Hill: Amerika mbështet propozimin franko-gjerman – Kurti e Vuçiç janë dakord që ta shqyrtojnë atë propozim


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Chritsopher Hill, ka folur për propozimin e fundit franko-gjerman, i publikuar me 18 shtator ekskluzivisht në Albanian Post.

Ai ka deklaruar për Zërin e Amerikës, se SHBA-të “e mbështesin këtë propozim”.

Hill pohoi gjithashtu se “mendoj që edhe presidenti Aleksandër Vuçiç edhe kryeministri Albin Kurti janë dakord që ta shqyrtojnë atë propozim dhe të shohim se çfarë mund të bëhet”.

I pyetur se a ekziston një afat i ri i caktuar nga SHBA-të për të gjetur një zgjidhjes në mes të Kosovës e Serbisë, Hill ka deklaruar se “nuk di për ndonjë afat specifik”, gjithsesi shtoi se “kam përshtypjen që dialogu ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë dhe duhet të ringjallet”.

“Në këtë kuptim, ne jemi të kënaqur që shohim angazhimin e zyrtarëve evropianë në nivel të lartë, këshilltarët e sigurisë kombëtare të Francës dhe Gjermanisë kanë ardhur në rajon, kjo është shumë e rëndësishme”, deklaroi diplomati veteran.

“Dhe mendoj se sekretari Antony Blinken donte të theksonte dëshirën tonë për ta çuar përpara këtë çështje. Ka shumë gjëra për të cilat duam të punojmë me Serbinë dhe duam që çështja e Kosovës të zgjidhet”.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Hill e ka bërë të qartë se rruga e Serbisë drejt integrimeve lidhet shumë me çështjen e Kosovës, por jo vetëm.

Prandaj, pohoi se “nuk dua të flas për aspiratën për në BE vetëm në kuptimin që çështja e Kosovës duhet të zgjidhet”.

“Mendoj se ka shumë elementë, njëri prej të cilëve është harmonizimi i politikës së jashtme të Serbisë me BE-në, kjo ishte një nga temat e diskutimeve të fundit”.

Veç BE-së, Hill pohoi se dëshira amerikane është që ta shohin Serbinë “edhe në NATO”, por konstatoi se megjithatë ky është një vendim që i takon popullit serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore