Sport

Higuain paralajmëron tërheqjen nga futbolli


Futbollisti argjentinas, Gonzalo Higuain, ka paralajmëruar tërheqjen nga futbolli i luajtur.

Në një intervistë të dhënë për mediat amerikane, 33-vjeçari la të kuptohet se me përfundimin e kontratës me Inter Miami-n, do të varë këpucët në gozhdë.

“Kam edhe një vit kontratë me Inter Miami-n, pastaj do të bëj një pushim, larg nga futbolli dhe gjithçka”, tha fillimisht Higuain.

Ish-sulmuesi i skuadrave të njohura si Real Madrid, Napoli, Juventus dhe Milan, shtoi më tutje se nuk e ka më mendjen te futbolli, por do që të kalojë më shumë kohë me familjen e tij.

I pyetur nga gazetarët, nëse ka dëshirën ende të luajë për kombëtaren e Argjentinës, ai tha se fare nuk e ka mendjen aty.

“Nuk e kam fare mendjen te përfaqësuesja e Argjentinës. Jam në një fazë tjetër të jetës sime, tani kam mendjen vetëm te familja ime. Nuk do ta ndërroja për asgjë në botë për të parë vajzën time duke buzëqeshur”, shtoi Gonzalo.

Gonzalo Higuain la futbollin evropian, për tu transferuar në futbollin amerikan, Major League Soccer, te skuadra e Miami Heat.

Që nga shtatori i vitit të kaluar, Higuain ka zhvilluar 30 ndeshje me skuadrën nga Miami, me të cilët ka realizuar 10 gola.

Ndryshe ai ka filluar karrierën te skuadra argjentinase River Plate, para se të transferohej në Real Madrid për shumën e 12 milionë eurove.

Te skuadra madrilene, Higuain qëndroi shtatë sezone, ku luajti për 264 ndeshje në të gjitha garat, duke realizuar 121 gola.

Më pas skuadra nga Madridi e shiti atë te Napoli për 40 milionë euro, në verën e vitit 2013.

Te Napoli, Higuain shkëlqeu duke realizuar 91 gola në 146 takime në të gjitha garat, pastaj Juventus pagoi për të plot 90 milionë euro për ta transferuar në skuadër.

Në Juventus, argjentinasi qëndroi dy sezone, më pas u huazua fillimisht te klubi i Milan-it, pastaj edhe tek Chelsea dhe në fund vendosi të provojë një aventurë edhe në futbollin amerikan.

Kujtojmë që Higuain ka zhvilluar edhe 75 takime me kombëtaren e Argjentinës, ku ka realizuar 31 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore