Shqipëria

Herzog falënderon shqiptarët për mikrpritjen e hebrenjve: Vendi juaj na dëshmon se paqja mes njerëzve është e mundur


Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka mbyllur zyrtarisht vizitën e tij në Tiranë, me një vizitë në Memoralian e Holokaustit në kryeqytetin shqiptar, ku ka gjetur rastin të falënderojë shqiptarët për mikpritjen e hebrenjve dhe t’i vlerësojë ata për harmoninë që kanë dëshmuar ndër dekada.

Herzog e nisi fjalën e tij të rastit duke shprehur mirënjohje ndaj shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Ky përkujtim është i jashtëzakonshëm! Krah për krah, zemër për zemër, njerëz të besimeve të ndryshme, qëndruan së bashku kundër së keqes, duke refuzuar të lejojnë injorancën dhe urrejtjen të shtrembërojnë emocionet dhe besimet e tyre te qeniet njerëzore”, përmendi Herzog gjatë fjalës së tij.

Sipas tij, ndërsa vala e urrejtjes, antisemitizmit dhe terrorit, është kthyer sërish kundër hebrenjve në mbarë botën dhe në Izrael, Shqipëria zgjeron më tej traditën e saj të tolerancës, dinjitetit, dhe respektit.

“Falënderoj mbarë kombin shqiptar dhe ju falenderoj juve, i nderuar kryetar bashkie (referuar kreut të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj) dhe qytetin tënd, për një miqësi kaq të pabesueshme, të frytshme dhe të fortë”, vijoi ai më tej.

Ai shtoi më tutje se Shqipëria ka mbetur një fener i vullnetit të mirë dhe mirësjelljes si edhe një vend, i cili i kujton botës se hrebrenjtë, myslimanët, bektashinjtë dhe të krishterët, mundet të jetojnë së bashku në harmoni dhe respekt të ndërsjelltë.

“Përvoja shqiptare dëshmon se paqja mes njerëzve është e mundur”, përmbylli ai.

Nga ana tjetër, Veliaj kujtoi rolin e rëndësishëm që luajti Shqipëria gjatë luftës, duke u bërë shtëpia e qindra hebrenjve.

“Shqipëria është ndoshta vendi i vetëm në Evropë ku, pas përfundimit të luftës, numri i hebrenjve ishte shumë herë më i lartë krahasuar me periudhën para luftës. Nëse para luftës në Shqipëri ndodheshin 200 deri 300 hebrenj, pas luftës atje ishin gati 2 mijë hebrenj. Njerëzit erdhën këtu nga ish-Jugosllavia, Greqia dhe vende tjera. Kjo tregon mikpritjen e shqiptarëve që mbrojtën hebrenjtë që ishin me ta”, artikuloi Veliaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore