Aplikacione

Heqja e përmbajtjes terroriste merr aprovimin e BE-së


Në Bashkimin Evropian, ligji i propozuar që detyron Google-in, Facebook-un dhe Twitter-in të heqin përmbajtjen terroriste pas hyrjes së tij në fuqi, ka mposhtur pengesat me marrjen e mbështetjes së ligjvënësve pavarësisht shqetësimeve të grupeve në mbrojtje të të drejtave civile.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se në vitin 2018 Komisioni Evropian nën shqetësimin e përmbajtjeve të tilla ka propozuar ligjin pas një serie sulmesh nga radikalët në disa qytete evropiane.

Lidhur me përmbajtjen terroriste në internet, ekzekutivi i BE-së e përcakton atë si material nxitës i terrorizmit apo që synon rekrutimin ose trajnimin e terroristëve.

Por, edhe si një material që ofron udhëzime se si të krijohen dhe të përdoren eksplozivët dhe armët e zjarrit për qëllime terroriste.

Ndërkohë, mbrëmjen e vonë të së mërkurës Parlamenti Evropian e ka miratuar ligjin.

Një nga ligjvënësit, Patryk Jaki, është shprehur se legjislacioni “ekuilibron sigurinë dhe lirinë e fjalës dhe shprehjes në internet, mbron përmbajtjen e ligjshme dhe aksesin në informacion për çdo qytetar në BE teksa lufton terrorizmin përmes bashkëpunimit dhe besimit midis shteteve”.

Në rast mosrespektimi të ligjit, kompanitë teknologjike mund të përballen me gjoba që shkojnë deri në katër për qind të xhiros së tyre globale.

Lidhur me trajtimin e çështjes, ligjvënësit kanë thënë se kanë ndarë përpjekjet e rregullatorëve. Kjo edhe për të mbajtur këtë përmbajtje jashtë platformave të tyre.

Mirëpo, disa nga ligjvënësit që e kishin kundërshtuar ligjin kanë paralajmëruar për pasoja të mëdha.

“Ne me të vërtetë po rrezikojmë censurë në të gjithë Evropën. Qeveritë hungareze dhe polake, tanimë demonstruan se nuk kanë çështje që heqin përmbajtjen me të cilën nuk pajtohen”, është shprehur zëvendës presidenti i Parlamentit Evropian, Marcel Kolaja.

Ai ka shtuar se “kjo rregullore u lejon atyre të përhapin këto praktika në territorin e çdo vendi tjetër anëtar”.

Nga ana tjetër, grupet në mbrojtje të të drejtave civile që kanë bërë fushatë për të detyruar ligjvënësit të refuzonin legjislacionin, kanë kritikuar procedurën duke thënë se ai është aprovuar pa aprovim përfundimtar nga asambleja.

Ata kanë theksuar ndër të tjera se rregulli i ri mund të shërbejë si një mbështetje për qeveritë autoritare.

“Teksa shteti ligjor në Evropë vazhdimisht po përkeqësohet, BE-ja po u jep kompetenca të mëtejshme autoriteteve të zbatimit të ligjit për të goditur protestat legjitime, lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias dhe artit në internet”, ka thënë, Anna Mazgal, këshilltare e politikave në BE te Wikimedia Deutschland.

Për sa i përket ligjit, ai do të hyjë në fuqi 20 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare të BE-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore