Lajme

Heqja e licensës për media, Gutierrez: Turp për Kurtin, po e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare


Ricardo Gutierrez

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, nëpërmjet një postimi në “Facebook”, vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e licensës për televizionin “Klan Kosova” e ka quajtur “turp” dhe “akt arbitrar që e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare”.

“Tërheqja e licencës për media është një akt jashtëzakonisht i rëndë. Sidomos kur flasim për transmetuesin kryesor privat të një vendi. Sot është një ditë e zezë për Kosovën: duke aktivizuar censurën shtetërore ndaj Klan Kosovës, qeveria e Kosovës po shkel standardet evropiane të lirisë së mediave”.

“Ky akt arbitrar e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare që ia kthejnë shpinën Bashkimit Evropian dhe vlerave demokratike të mbrojtura nga Këshilli i Evropës. Më vjen keq për miqtë e mi kosovarë dhe shoqërinë civile. Turp për varrmihësit e lirisë së shtypit dhe pluralizmit mediatik”, shtoi Gutierrez.

Nga ana tjetër, televizioni “Klan Kosova”, nëpërmjet një komunikate të mërkurën, ka shprehur shqetësimin lidhur me njoftimin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë se ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj televizionit si dhe vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit.

“Derisa nuk marrim njoftime të tjera, ne besojmë se ky veprim është krejt i padrejtë, arbitrar dhe me primesa autokratike, i pa bazuar në ligj, i cili në secilën rrethanë i bie tentim i mbylljes së një mediumi, tentim i shkeljes së lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj “Klan Kosovës” dhe ka marrë vendim për pezullimin e certifikatës së biznesit. Arsyeja e pezullimit është se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”.

“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare Klan Kosova SHPK, deri në një vendim tjetër”, thuhet në komunikatën e MINT-it.

Gjithashtu, në njoftim theksohet se MINT-i shpreh besimin e plotë se Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Kosovës, do të veproj në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim dhe pret me vëmendje maksimale dhënien dhe marrjen e veprimeve të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore