Lajme

Heqja e licensës për media, eksperti amerikan: Kurti të tërhiqet menjëherë, liria e shtypit të garantohet me çdo kusht


Alon Ben Meir

Njohësi i dinamikave politike në Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duhet të tërhiqet menjëherë nga përpjekja për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit “Klan Kosova”.

“Lëvizja e paprecedentë e Qeverisë së Kosovës për të pezulluar certifikatën e biznesit të transmetuesit më të madh televiziv në vend ‘Klan Kosova’ dhe ngritja e kallëzimit penal kundër përfaqësuesve të saj është alarmante”‘, shkroi eksperti amerikan në llogarinë e tij.

“Për një vend që kërkon integrimin në Bashkimin Evropian, liria e shtypit duhet të garantohet me çdo kusht. Kryeministri Kurti dhe Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, [Rozeta] Hajdari duhet të tërheqin menjëherë pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës”, shtoi ai.

Qeveria e Kosovës ka iniciuar kallëzim penal në Policinë e Kosovës ndaj “Klan Kosovës” dhe ka marrë vendim për pezullimin e certifikatës së biznesit. Arsyeja e pezullimit është se kallëzimi penal është ngritur me “pretendimin se në certifikatën biznesit te ndërrimi i pronarëve, figuron Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.

“Raportimet e mediave gjatë këtyre ditëve rreth kësaj çështjeje, kanë nxjerrë në pah dyshime të bazuara për keqpërdorim të mundshëm të pozitës zyrtare të punonjësve në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”.

“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare Klan Kosova SHPK, deri në një vendim tjetër”, thuhet në komunikatën e MINT-it.

Gjithashtu, në njoftim theksohet se MINT-i shpreh besimin e plotë se Departamenti i Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Kosovës, do të veproj në mënyrë të shpejtë, efikase dhe pa ngurrim dhe pret me vëmendje maksimale dhënien dhe marrjen e veprimeve të këtij kallëzimi sipas procedurës përkatëse

Heqja e licensës për media, Gutierrez: Turp për Kurtin, po e zhyt Kosovën në kampin e regjimeve autoritare

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore