Kosova

Haziri: Politika e Kurtit i vendosi kushte vetë Kosovës


Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar tri kushtet e vendosura nga kryeministri Albin Kurti për mos takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel të mërkurën.

Sipas tij, Kurti është duke i vendosur Kosovës vetë kushtëzime për shkak të politikave të tij.

“Kosova është në kushte dhe Kurti po zbaton politikë të kushtëzimit në emër të Kosovës. Kjo mendësi administrimi në emër të Kosovës pardje në Bruksel u konfirmua në emër të politikave për konsum të brendshëm në Kosovë e jo ndaj Serbisë”.

“Kosova duhet të negociojë me BE-në për procesin e normalizimit, ku Serbia nuk do të ketë fuqi ta dëmtojë progresin europian të Kosovës. Po ndodh e kundërta dhe tani kushtëzimet e varësia do të na mbajë të kushtëzuar neve e jo Serbinë”, ka shkruar Haziri në rrjetin social ‘Facebook’.

Haziri në shkrimin e tij radhiti disa nga dështimet e Kurtit vetëm gjatë kësaj qeverisje.

“Ne nuk po anëtarësohemi në Këshillin e Europës se kemi kushtëzim me vendimin qeverisë për draft-statutin e AKSHS. Aplikacioni ynë në BE ka dy vite që rri i mbyllur. Kërkesa prej 932 milionë euro nuk është hapur, po ashtu, mosftesa e Kosovës si e vetme nga Ballkani perëndimor në Komitetin për kohezion socio-ekonomik në BE-së dhe në fund propozimi për largimin e shkallëzuar të masave ndëshkuese ndaj Kosovë”.

Kurti, të premten tha se tri kushtet që ai vendosi në takimin e fundit të dialogut në Bruksel, janë ato që garantojnë procesin e normalizimit me Serbinë.

Një përpjekje e Bashkimit Evropian (BE) për të ringjallur dialogun midis Kosovës dhe Serbisë dështoi sërish për shkak të mosgatishmërisë së liderëve për t’u ulur në tryezën e negociatave, të mërkurën.

Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe Vuçiçin, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore