Lajme

Haxhiu: Vetingu në drejtësi është i domosdoshëm


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Vetingu në fushën e drejtësisë është shumë i domosdoshëm, andaj për të ndodhur ky proces duhet gjetur mënyrën se si të shtyhet tutje, ka thënë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo është shprehur se dy zotimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje ishin drejtësia dhe punësimi, andaj sipas saj, për procesin e vetingut nuk duhet pyetur.

“Ne kemi marrë mbështetje të madhe qytetare dhe unë nuk mund të pajtohem me atë që sot ka diskutime a duhet të ketë veting apo jo”.

“Më nuk ka dilema se në Kosovë vetingu është i domosdoshëm. Nuk ka diskutime a duhet të ketë a jo, por cila është mënyra që duhet ta shtyjmë vetingun para, duke marrë parasysh se nevojiten edhe ndryshime kushtetuese”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

Është shumë e rëndësishme të ketë konsensus të gjerë politik.

“Por edhe me institucione të tjera të drejtësisë dhe me shoqërinë civile”, ka deklaruar Haxhiu në një emision në KTV.

Sipas Ministres së Drejtësisë, procesi i vetingut do të zgjasë 5 vite, ndërsa sa i përket opinionit të marrë nga Komisioni i Venecias për rastin e Shqipërisë dhe vendet tjera, ka thënë se është e rëndësishme që mekanizmi i jashtëm që e kryen vetingut të jetë në kohë të kufizuar, pra të mos ekzistojë përjetësisht.

“Ne jemi shërbyer gjatë hartimit të koncept-dokumentit edhe me opinionin e Komisionit të Venecias për rastin e Shqipërisë e vendeve tjera. Aty Komisioni vlerëson se një veting i tillë me mekanizëm të jashtëm si në Shqipëri është i mundshëm dhe në përputhje me standarde evropiane”.

“Po ashtu thotë se është i rëndësishëm që ky mekanizëm i jashtëm të jetë i kufizuar, të mos ekzistojë përjetësisht”.

“Në momentin kur arrijmë të verifikojmë këshillin gjyqësor, atë prokurorial, kryeprokurorin e shtetit si institucion, kryeprokurorët e prokurorive, atëherë besoj se 50-60 për qind të punës e përfundojmë”, ka deklaruar Haxhiu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore