Kosova

Haxhiu tregon se kur do të finalizohet marrëveshje për të burgosurit nga Danimarka


Nick Hækkerup dhe Albulena Haxhiu

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media së bashku me homologun e tij danez Nick Hækkerup, ka bërë të ditur se qëllimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për të burgosurit është që të finalizohet sa më shpejt që është e mundur.

Haxhiu, ka potencuar se gjatë muajit maj pritet që marrëveshja ndërmjet dy vendeve të finalizohet në mënyrë që të procedohet në kuvendet respektive.

“Do të bëhen edhe përmirësime dhe renovime në burgun e Gjilanit, sepse ka nevojë dhe kur kjo qendër të jetë gati, do ta njoftojmë Danimarkën dhe pastaj ajo do t’i sjell të burgosurit”, tha Haxhiu

Për Ministren ky bashkëpunim do t’i forcojë edhe më tej raportet në mes të Kosovës dhe Danimarkës.

“Gjatë kësaj kohe, pra gjatë negociatave të dy delegacionet kanë treguar seriozitet dhe përkushtim të plotë për çka i falënderoj si ministre. Marrëveshjet me shtete serioze mike i kontribuojnë zhvillimit dhe avancimit të institucioneve tona dhe ngritin në nivel më të lartë funksionim e mirëfilltë të tyre”.

Përmes kësaj marrëveshje sipas Haxhiut Kosova po dëshmon se është e hapur dhe se dëshiron të vazhdojë thellimin e reformave,

“Marrëveshje nga e cila MD-ja janë përfitues por edhe SHKK-ja të drejtpërdrejtë nga investimet direkte dhe shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të zbatimit të sanksioneve penale në Mbretërinë e Danimarkës. Zotimi ynë është i qartë. Ne do të angazhohemi për forcim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm në fusha e dimensione më të zgjeruara”.

Danimarka do të jetë më i zëshëm sa i përket anëtarësimit të Kosovës në BE dhe NATO

Në anën tjetër Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hækkerup, ka thënë se marrëveshja në fjalë, do t’ia mundësoj Danimarkës që të jetë më e zëshme në çështjet si liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE.

“Në këtë kohë kur bota po gjendet në vështirësi të mëdha” thotë Hækkerup duke shtuar se “është e rëndësishme për ne që të shohim zotimin dhe angazhimin e madh të Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së dhe dëshirës për të qenë pjesë e vlerave perëndimore evropiane”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore