Kosova

Haxhiu takohet me u.d Kryeprokurorin e Shtetit për “jetësimin e reformave në drejtësi”


Albulena Haxhiu dhe Besim Kelmendi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është takuar këtë të premte me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, me të cilin kanë diskutuar për çështje të interesit të përbashkët që ndërlidhen me deklaratën e zotimeve për reformën në drejtësi.

Siç njofton Ministria e Drejtësisë, në takim, në veçanti, është diskutuar “për ligjin e ri për parandalimin dhe adresimin e dhunës në familje – mbrojtësit e viktimave, gjegjësisht për nevojën e rritjes së numrit të tyre, bashkëpunimin me Institutin e Mjekësisë Ligjore, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë dhe Forenzikën Psikiatrike”.

“Po ashtu, u diskutua edhe për ndërmjetësimin, nevojën e shtimit të numrit të prokurorëve në raport me numrin e gjyqtarëve, objektet e prokurorisë në Mitrovicë dhe Prizren si dhe çështje të tjera më rëndësi të bashkëpunimit ndër-institucional”, theksohet në njoftim.

Foto: Ministria e Drejtësisë

Aty shtohet se palët u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në kuptim të adresimit dhe jetësimit të reformave në drejtësi.

Ky takim i Haxhiut me u.d e Kryeprokurorit të Shtetit vjen dy ditë pasi që ajo ka thënë se e mbështet vendimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për mosdekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit, teksa ka shtuar se ky proces “duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”.

“Mbështes dhe mirëpres letrën e Presidentes Osmani për mosdekretimin e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit”, tha Haxhiu në një konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë, teksa shtoi se për këtë arsyet i ka përmendur në letër presidentja Osmani.

“Kryeprokurori i Shtetit ka mandat shtatë (7) vjet dhe sigurisht që ky proces duhet të jetë transparent, duhet të jetë meritor, dhe jo të ndikojnë grupe të interesit apo individë përbrenda sistemit në mënyrë që të sjellin një rezultat që dihet para se të ndodh ai”.

Përkundër refuzimit të Osmanit për ta dekretuar Isufajn, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ia ka dorëzuar përsëri emrin e njëjtë të pares së shtetit për Kryeprokuror më 1 nëntor.

Sa i përket këtij propozimi të KPK-së, pra për herë të dytë emrin e njëjtë, ministrja Haxhiu theksoi se i njëjti “nuk ka bazë kushtetuese dhe as ligjore”.

“Këshilli Prokurorial nuk e di ku është bazuar kur e ka dërguar emrin e njëjtë te presidentja Osmani”, shtoi.

Ndryshe, Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte dërguar për herë të dytë emrin e Blerim Isufajt për dekretim për Kryeprokuror të Shtetit tek Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 1 nëntor, përkundër se kjo e fundit kishte refuzuar ta dekretojë më 17 tetor, duke e konsideruar procesin e përzgjedhjes si të korruptuar.

Osmani gjatë një konference për media muajin e kaluar, kishte thënë se nuk e ka dekretuar për Kryeprokuror të ri të Shtetit, Isufajn, meqë sipas saj, procesi është cilësuar “si i parregullt dhe diskriminues” nga të gjithë vëzhguesit, si nga organizatat vendore dhe ato ndërkombëtare të cilat kanë evidentuar “10 shkelje në procedurën e përzgjedhjes së Kryeprokurorit”.

Madje, e para e shtetit po ashtu pati theksuar se “ka marrë kërcënime” nga disa persona për hezitimin e saj që ta dekretojë Isufajn.

Më 6 prill të vitit të kaluar, Këshilli Prokurorial i Kosovës kishte votuar unanimisht Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit.

Isufaj aktualisht është Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.

Ndërsa, ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Më 20 prill të këtij viti, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën plenare, një ditë pas arrestimit të Kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit, nën dyshimin për keqpërdorime me disa tenderë, kishte “sulmuar” Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.

“Bëhet fjalë për një Kryeprokuror i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike që në rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Hasanajt e kategorizojë si vetëvrasje ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje”, thoshte Kurti.

Për Isufajn, Kurti pati theksuar se nuk e ka të fituar në Gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet Kryeprokuror.

Haxhiu mbështet Osmanin: Procesi për përzgjedhjen e Kryeprokurorit do kthehet në pikën zero

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore