Lajme

Haxhiu prezanton hapat që kanë vendosur me institucionet e sigurisë për të ndaluar rastet e vrasjeve të grave


Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu pas dy rasteve që ndodhën brenda katër ditësh ku bashkëshortët dyshohet se vranë bashkëshortet e tyre ka bërë të ditur disa nga veprimet që kanë vendosur t’i marrin së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Haxhiu në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ka prezantuar disa nga pikat që konsideron se do të ndihmonin në parandalimin e rasteve të tilla.

“Në raport me përgjegjësitë e ministrisë së Drejtësisë, do të bëjmë edhe një herë rishikimin e kodit penal dhe kodit të procedurës penale për të gjitha rastet e dhunës në familje apo veprat penale që lidhen me dhunën në familje dhe me vrasjet ndaj grave – vrasjet në bazë të gjinisë”.

“Po ashtu, në bashkëpunim me ministrinë e Punëve të Brendshme, jemi duke punuar tashmë në ndryshime me armëmbajtje pa leje për shkak të politikë së ulët  ndëshkimore dhe mosveprimet nga sistemi prokurorial në raport me personat e dyshuar për armëmbajtje pa leje”, ka thënë ajo.

Ajo tutje ka prezantuar edhe disa nga obligimet për institucionet e drejtësisë.

“Të adresohet lëshimi i procedurës së rregullt në rastet e dhunës në familje dhe në rastet e armëmbajtjes pa leje, po ashtu të lëshohet udhëzues detyrues nga prokurori për të gjithë prokurorët e angazhuar në këto raste”.

“Këshilli Prokurorial urgjentisht të hapë pozitat për shtimin e mbrojtësve të viktimave i kemi vetëm 22 mbrojtës të viktimave për tërë territorin e Republikës së Kosovës. Gjykata Supreme të lëshoj udhëzues për politikën ndëshkimore në raport me këto fenomene”.

E para e këtij dikasteri, kërkesë pati edhe për Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

“Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të adresoj rastet e dënimeve nën minimumin e asaj që parasheh kodi penal për rastet e dhunës në familje dhe të marr masa ndaj gjyqtarëve që kanë gjykuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi”.

Ndërsa, ka shtuar se në rast se edhe në të ardhmen do të vazhdojë mungesa e veprimeve nga institucionet, vrasjet do të vazhdojnë.

“Kur dhuna ndodh duhet përgjigje e duhur institucionale. Nëse të gjitha këto institucione s’janë të vendosura për të luftuar këto fenomene atëherë përgjigjen e dimë rrezikojmë të vazhdojmë të numërojmë viktimat”.

Të martën në Pejë u vra edhe një grua ku i dyshuari kryesor për vrasjen e saj dyshohet të jetë bashkëshorti i saj, kjo ishte vrasja e dytë e një gruaje brenda katër ditësh.

Edhe më 12 prill, një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Po ashtu, edhe për këtë rast është arrestuar ish-bashkëshorti i saj.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Për këto dy raste, institucionet në Kosovë të mërkurën e 17 prillit e kanë shpallur ditë zie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore